Një rruge në Gjilan i vihet emri “Kadri Veseli”

Një rruge pa dalje në fshatin Llashticë të Gjilanit i është vënë emri “Kadri Veseli”.

Por, ndryshe nga ajo që mund të mendojnë të gjithë, kjo rrugë nuk e mban emrin në nder të liderit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Rruga e mban emrin “Kadri Veseli” në nder të një mërgimtari nga ky fshat, i cili ka ndërruar jetë para luftës.

“Propozimi për emrin Kadri Veseli ka ardhur prej një lagje të Llashticës në drejtim të Këshillit të Fshatit. Këshilli ia ka përcjellë propozimin Komisionit Komunal për shqyrtimin e ankesave, ku edhe është miratuar në Kuvendin Komunal. I ndjeri ka qenë mërgimtar nga Llashtica i cili ka ndërruar jetë para luftës”, ka thënë për portalin Mediafokus.info, kryetari i Këshillit të Fshatit në Llashticë, Ekrem Hasani.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e fundit për vitin 2019, ka miratuar, përveç tjerash, edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit dhe adresave.