Njerëzit e Soleimanit donin të hynin edhe në UÇK sikurse në Bosnje, por shqiptarët s’pranuan që luftës t’i vishnin fenë

Iranianët donin të hynin në radhët e UÇK-së që do i jepte luftës për çlirim një veshje fetare. Donin të bënin të njejtën gjë që bënë në Bosnje.

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, që ishte i lidhur edhe me njerëzit e UÇK’së në atë kohë, Fatos Klosi ka thënë se iranianët gjatë Luftës së Kosovës tentuan të hynin në radhët e UÇK-së, por nuk u lejuan.

Sipas Klosit, ata donin të përsërisnin të njëjtin skenar si në Luftën e Bosnjes, gjë që do i jepte luftës për çlirim një veshje fetare.

Klosi thotë se ata u ofruan në disa forma, duke ofruar specialistë, pastaj armatim, por edhe me këshilla të aleatëve amerikanë, ata u refuzuan nga udhëheqësit e UÇK’së.

Serbia vazhdimisht ka tentuar që luftën çlirimtare të Kosovës ta lidh me elementin fetar mysliman, por këtë nuk ka mundur ta bëjë pasi në këtë pikë UÇK ishte shumë e pastër.

Bile aleatët e UÇK’së, ishin forcat e aleancës perëndimore, gjë e cila u vërtetua edhe me intervenimin e NATO’s, gjë që rezultoi me largimin final të Serbisë nga Kosova.