Nuk i respektuan masat e izolimit, shqiptohen dënime në vlerë prej 27 mijë eurove

Në katër ditët e kaluara, prokuroritë në mbarë shtetin kanë kërkuar nga gjykatat të shqiptojnë 37 dënime në vlerë prej 81 mijë eurove për shkak të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga virusi korona, përcjell GazetaExpress.

Deri më tani gjykatat janë prononcuar për 12 raste dhe i kanë dënuar qytetarët për mosrespektimit të vetizolimit me 27 mijë euro.

Pjesa më e madhe e kërkesave të prokurorive, gjegjësisht 33 kanë të bëjnë me shkeljen e masës së izolimit, ndërsa katër janë për pronarë të restoranteve dhe kafeneve që nuk i kanë mbyllur lokalet e tyre.

Në 10 nga 12 rastet e dënuara, gjoba e shqiptuar është 2000 euro. Në një rast 2500 euro dhe në një tjetër 4500 euro.Dënimi më i madh i shqiptuar është për një mjek në spitalin e përgjithshëm të Kavadarit, vajza e të cilit është kthyer nga Italia dhe e tërë familja është dashur të qëndrojnë në izolim. Në vend të kësaj, mjeku ka vazhduar të shkojë në punë.

Në rastin me të akuzuarit, nënë e bijë nga Strumica, që disa herë kanë dalë nga banesa ku kanë jetuar dhe janë paralajmëruar nga policia t’i respektojnë masat, është dorëzuar propozim për padi penale, pasi verbalisht kanë kundërshtuar personat zyrtarë.

Numri më i madh i mosrespektimit të masave është në Kavadarë, Prilep dhe Shkup.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme informoi se ka ngritur padi penale edhe për dy persona nga Koçani për mosrepsektim të masës së vetëizolomit. Të dy personat gjatë hyrjes në vend në vendkalimet kufitare kanë nënshkruar deklaratë se do të vetëizolohen, por pas disa kontrolleve policët nuk i kanë gjetur në shtëpitë e tyre.

Qeveria dje vendosi të ndërmerren masa më të rrepta, kështu, ata që nuk do qëndrojnë në shtëpi për vetëizolim, do të dërgohen në karantinë me shpenzimet e tyre.