Opozita shqiptare, pa konkretizim të një koalicioni parazgjedhor

Jemi për koalicion trepalësh. Lëvizja Besa e tejkaloi veten nga ajo situatë dhe jemi të vendosur për koalicion mes Besës, Aleancës dhe Alternativës të cilin e vlerësojmë si koalicion fitues. Pres që me qëndrime të njëjta të reflektojnë edhe Aleanca dhe Alternativa që edhe ato ta tregojnë gatishmërinë e plotë që ky koalicion të funksionojë u shpreh Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Alternativa është në negociata me Aleancën për Shqiptarët dhe ne jemi në kërkim të një formule fituese për zgjedhjet e ardhshme. Shpresojmë se ditëve në vijim do të kemi lajme të mira. Ne nuk jemi ata që e përjashtojmë ose e përfshijmë dikë, por thjeshtë jemi duke dhënë gjithçka nga vetja jonë që të krijojmë një kombinim fitues thonë nga Alternativa.

Ka një frymë pozitive dhe shpresoj se partitë politike në fjalë të cilat janë themeluar si rezultat i pakënaqësisë nga klasa politike që i ka përfaqësuar shqiptarët, do t’i thirren arsyes dhe ky koalicion të përfundojë me sukses deklaroi Syrija Rashidi deputet i ASH-së.