Organizata Humanitare “El Hilal” me rastin e 7 Marsit, organizoi një eveniment ku u shënua kjo ditë e rëndësishme e arsimit kombëtar

Organizata Humanitare “El Hilal” me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, për të pesëmbëdhjetën herë organizoi një eveniment, ku u shënua kjo ditë e rëndësishme e arsimit kombëtar. Kësaj radhe, 7 Marsi u shënua në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Manifestimin e hapi nikoqiri, drejtori i shkollës, Talat Sadiku i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i “El Hilal”-it. Para veteranëve të arsimit, arsimtarëve aktualë, aktivistëve humanistë dhe studentëve – bursistë të “El Hilal”-it për rëndësinë e kësaj date në aspektin historik, foli pedagogu i njohur, veprimtari e veterani i arsimit dhe humanisti, Baki Bakiu, i cili është edhe udhëheqës i komisionit të “El Hilal”-it për realizimin e aktivitetit programor “7 marsi”. Fjalim të shkurtër me tematikë “Dija dhe arsimi në fenë islame” mbajti Ali Sadiku, teolog, njëkohësisht sekretar i “El Hilal”-it. Tubimin e përshëndeti edhe Behixhudin Shehapi, kryetar i organizatës, i cili mes tjerash theksoi faktin se 15 vjet me radhë “El Hilal” e shënon këtë datë duke i nderuar në këtë mënyrë veteranët e arsimit me mirënjohje dhe dhurata të tjera, duke i shpërblyer shkollat me libra për bibliotekat e tyre jo aq të pasura me literaturë dhe duke i respektuar gjeneratat e reja në rrugën e tyre të diturisë duke u ndarë bursa studentore. Më pas u lexuan emrat e pesë arsimtarëve që kanë dhënë një kontribut të veçantë për ngritjen e ndjenjës së bamirësisë. Ata janë: Fehmije Pruthi nga Çairi, Myzejene Stavileci nga Hasanbegu i Shkupit, d-r Minir Ademi nga Kumanova, Xhemali Xhika nga Saraji dhe Beadin Doko nga Ohri. Ndërkaq tri shkollave fillore, asaj të Likovës, Resnjës dhe Kerçovës iu ndanë pako me nga 120 libra për bibliotekat e tyre. Në pjesën e fundit të këtij evenimenti, nga Prof. Etem Xheladini, kryetar i kuvendit të “El Hilal”-it, u nda kësti i dytë i bursave studentore për gjithsej 40 studentëve bursistë për këtë vit akademik. Në fund, me kontributin e tre bamirësve u shtrua një koktej rasti për të gjithë të pranishmit në këtë ngjarje mjaft të rëndësishme për dijen dhe arsimin tonë në përgjithësi.