Osmani i përgjigjet Taravarit: Nuk shesim mjegull, ASH po popullarizohet përmes BDI-së

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari në emisionin 10 minuta të Tv21 thumboi ministrat e BDI-së. Ai për Bekteshin, Osmanin dhe Ademin tha se janë vetëm shitës të mjegullave.

“Model i njëjte i njerëzve të cilit flasin 30 minuta dhe në fund nëse ju thoni ma tregoni prej 30 minutave një konkluzion asnjëri prej tyre nuk kanë konkluzion. Janë shitës të mjegullave, ashtu është Arbër Ademi, Bujar Osmani dhe Bekteshi, ata e kopjojnë njëri tjetrin nuk dihet se cili është origjinali e cili është kopja”, deklaroi Arben Taravari, sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

Por zëvendëskryeministri Bujar Osmani, tha se “ne jemi shitës të programit zgjedhor të partisë e jo të mjegullave”.

“Tash ata po mundohen nëpërmjet nesh të popullarizohen, duke na përmendur neve për tu përfletur emri. Unë nuk dua të futem në debat të tillë veçanërisht në vlerësime personale as karakterit as demagogjisë të tyre unë jam shitës i programit zgjedhor të BDI-së . Ne e kemi atë moto, duhet të premtojmë dhe t’i realizojmë ato premtime tona, se kjo është kontrata jonë me njerëzit dhe ketë e shes para qytetarëve të mi dhe mbështetësve të mi”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

Ndërsa ministri i Arsimit Arbër Ademi, nuk deshi të komentojë deklarata të tilla.
“Jo nuk kam asnjë koment”, tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari është në konflikt me Kreshnik Bekteshin, për guroren në Çegran, por edhe me Ademin, i cili ia ka marr kompetencat në arsim.