Osmani- Janakakis: Jemi të përkushtuar në implementimin e Marrëveshjes së Prespës si garanci për perspektivat tona në BE dhe NATO

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani sot realizoi takim me Ambasadorin e Republikës së Greqisë, Dimitris Janakakis, në të cilin u diskutuan çështjet rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, aktualitet rreth implementimit të marrëveshjes së Prespës në kontekst të integrimeve evropiane të vendit.

“Si Sekretariat për Çështje Evropiane, vazhdimisht angazhohemi dhe bëjmë thirrje për respektim të plotë të Kushtetutës, ligjit, marrëveshjeve të ratifikuara dhe akteve të tjera, posaçërisht të atyre që paraqesin themel të integrimeve tona evropiane. Respektimi dhe zbatimi konsekuent i Ligjit për gjuhë, Marrëveshjes së Prespës, jo vetëm që janë obligime ligjore, por janë edhe në drejtim të realizimit të perspektivave evropiane dhe euro- atlantike të vendit”, theksoi Osmani në takim, duke i komentuar ngjarjet aktuale të cilat u shkaktuan nga një pjesë e ministrave teknik të Qeverisë.

Osmani i konfirmoi Ambasadorit Janakakis se Sekretariati për Çështje Evropiane dhe personalisht ai si Zëvendëskryeministër do të qëndrojnë të përkushtuar në implementimin e plotë të të gjitha obligimeve të vendit si garanci për perspektivat tona evropiane dhe euro- atlantike.