Osmani: Pas zgjedhjeve të 15 korrikut do kemi kryeministrin e parë shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë faktor përcaktues në formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës dhe kjo do të jetë mundësia për të përmbushur qëllimin për zgjedhjen për herë të parë, të një kryeministri shqiptar. Në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut, BDI shkon me sloganin “Koha për Kryeministrin e parë shqiptar”. Bujar Osmani, zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut në intervistën për emisionin “Balkan Talks”, për gazetarin Franko Egro, tha se, tashmë do të synohet barazi e plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Populli shqiptar po tenton barazi të plotë, por ende ka xhepa të rezistencës për të implementuar këtë barazi ndaj dhe në këtë fushatë kemi dalë me një hap më tej për të kërkuar kryeministrin e vendit. Ne e kemi ditur se në momentin kur është emëruar kryetar i Parlamentit, Taulant Xheferri, e kemi ditur se hapi i radhës është zgjedhja e një kryeministri shqiptar dhe të rrënohet rezistenca e fundit e pabarazisë etnike. Kjo ishte dhe një arsye për të nxitur bashkimin e faktorit shqiptar.

Nuk është utopi dhe ndaj jo rastësisht nuk kemi nxjerr kandidat nga BDI por përzgjodhëm Naser Ziberin, një figurë apolitike për të bashkuar faktorin shqiptar rreth këtij synimi. E njëjta gjë thuhej edhe para se, të kishin kryetarin e Parlamentit. Pasi pamë të pamundur për të bashkuar forcat politike shqiptare, ajo që duam të bëjmë është bashkimi i popullit shqiptar jashtë partive politike dhe mendojmë se më një kandidat jo partiak, i bashkon shqiptarët”, tha z. Osmani.

Zv. kryeministri u shpreh më tej se, gjatë mandatit të fundit BDI ka realizuar premtime të rëndësishme si zgjedhja e një presidenti konsensual, zyrtarizmi i gjuhës shqiptare, zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit shqiptar, barazi ekonomike dhe anëtarësim të vendit në NATO. Ndaj thotë se pas zgjedhjeve do të plotësojnë dhe qëllimin për të pasur kryeministër shqiptar.

“Unë ju garanton se në mandatin që del nga zgjedhjet e 15 korrikut do të kemi kryeministrin e parë shqiptar. Ky do të ishte dhe mesazhi më i bukur për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE për respektimin e diversitetit etnik dhe se po krijohet një shtet i barabartë. Do të kishim dashur që të ishim bashkë në dy parti shqiptare, mirëpo të gjitha të dhënat, anketimet dhe sondazhet tregojnë se, BDI do të jetë forca vendimtare që përcakton formimin e qeverisë dhe me këtë do të jetë dhe çelësi që me këtë program kryeministrin e marrim ne”, deklaroi zv. kryeministri i RMV-së.

Ai shtoi më tej se, roli i BDI ka qenë shumë pozitiv për shqiptarët pasi nga popull i margjinalizuar, jashtë sistemit, i  nën çmuar dhe me 0.2% në administratë dhe me asnjë të punësuar në polici dhe ushtri, tani shqiptarët janë popull shtetformues, që udhëheq Parlamentin, ka tre universitete shtetërore në vend, ka dy mijë policë dhe 2-3 mijë ushtarë.

Ndonëse, shqiptarët në këto zgjedhje paraqiten me 7 parti ndërsa maqedonasit me vetëm 2, z. Osmani tha se, “për fat të keq, nuk ka asnjë ofertë dhe e vetmja mbetet ajo e BDI për kryeministrin e parë shqiptar”. Sipas tij, BDI gjithmonë ka bërë thirrje për bashkimin e shqiptarëve në 2-3 parti.

“Gjithmonë kemi ftuar partitë e vogla opozita që të bashkohen, pasi janë fraksione të dala nga partitë amë. I kemi ftuar që të dalin të bashkuar kundër nesh dhe të fitojnë për shkak se në zgjedhjet e vitit 2016, shqiptarët humbën 9 mandate në Parlament si rezultat i përçarjes. Ndaj i kemi ftuar që të bashkohen dhe më të gëzuar do të ishim të humbim ne si parti se sa të humbin shqiptarët. Por, pavarësisht kësaj nuk do të shkojnë të bashkuar”, tha ai.

Z. Osmani foli dhe për qëndrimin e Zoran Zaev kundër idesë së kryeministrit shqiptar, i cili ka deklaruar se është gati t’i japë deri në 10 deputetë VMRO-DPME-së që kjo ide të mos realizohet.

“E falënderova z. Zaev që po bëhet promotori më i madh për një kryeministër shqiptar. Me çdo kundërshtim të tij publik po i bien maskat dhe shqiptarët gjithnjë e më tepër po i bashkohen këtij koncepti. Shqiptarët janë të dëshpëruar nga deklarata publike e Zaev se është gati t’i japë 10 deputetë VMRO-DPME-së vetëm që shqiptarët të mos marrin kryeministrin”, përfundoi z. Osmani.