Osmani: Vendi është i gatshëm për negociata me BE-në

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani vlerëson se vendi është i gatshëm të fillojë negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se kjo mund të bëhet së shpejti nëse Unioni e ndryshon metodologjinë për pranim të anëtareve të reja.

“Presidenti francez Emanuel Makron nuk tha se ne nuk jemi të gatshëm, por se BE-ja nuk është e gatshme për zgjerim, kështu që ne nuk mundëm të bënim asgjë që ajo të jetë më e gatshme. Ne ishim përgjegjës që të ishim më të përgatitur, ndërsa këtë e konstatuan të gjithë. Franca dhe Makroni nuk dolën me kushte të reja – nëse e bëni edhe këtë ne do t’iu japim datë, por tha – nëse ne bëjmë edhe diçka të re, nëse e ndryshojmë metodologjinë atëherë do të filloni negociata”, tha Osmani në intervistë për “Samo Intervju”.

Ai vlerëson se me ndryshimin e metodologjisë edhe te francezët do të kthehet besimi se ky proces nuk do të jetë vetëm proces burokratik i cili do të përfundojë pavarësisht asaj se ne i përmbushim kushtet ose jo, por se me kthimin dhe me menaxhimin politik të procesit do të garantohet se vendi i cili do të bëhet anëtar me të vërtetë do të jetë i gatshëm.

Osmani në intervistën tha se edhe më tutje mbetet në fuqi parimi për koalicionim paszgjedhor të fituesit me fituesin.

“Situata në vitin 2016 ishte specifike. Dallimi në deputet ishte 51 për VMRO-DPMNE-në dhe 49 për LSDM-në, por kishte rivotim në një vend në Tearcë ku njëqind vota mund të transformonin rezultatin në 50-50. Në kushte të legjitimitetit të paqartë atëherë mbizotëronte parimi se përparësi duhet të ketë mbyllja e temave të mëdha politike, që e bëmë në mandatin e kaluar, që mundësoi progres të shtetit në integrimet dhe stabilitetin rajonal …, kështu që parimi fituesi me fituesin dhe marrëveshja e majit ende vlejnë nëse legjitimiteti është i qartë te të gjitha bashkësitë etnike”, theksoi zëvendëskryeministri Osmani në intervistë.