Palushi: Për zhvillim të ekonomisë të përkrahen kompanitë eksportuese

Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, e cila merret me prodhimin e lëngjeve dhe pijeve energjike, tha për Telegrafin se duhet të përkrahen më shumë kompanitë të cilat merren me prodhim eksport të prodhimeve të tyre që eksportohen në tregjet ndërkombëtare.

“Konsideroj që është një lajm i mirë për ekonominë e Kosovës. Ajo që duhet fokusuar është për zhvillim të ekonomisë të jetë përkrahja e kompanive eksportuese. Ndoshta do të ishte në radhë të parë të subvencionohen kompanitë të cilat eksportojnë, prej mundësive, minimumi që mund të bëjë Qeveria e Kosovës është lirimi nga tatimi në fitim për pjesën e vlerës së eksportuar, apo formave të tjera të stimulimit të eksportit, por dhe përkrahja e vazhdueshme për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre”, tha Palushi.

Ai kërkon që të krijohen kushte më të mira për investime edhe për kompanitë vendore.

“Krijimi i kushteve më të mira për investitorët potencial dhe mendoj që nuk do të thotë që gjithmonë të flitet për investitorë të jashtëm, mirëpo duhet të ketë një fokus edhe tek kompanitë vendore, të cilat mund të janë po ashtu investitorë në Kosovë dhe këtu konsideroj që duhet merren shembuj edhe të vendeve në rajon që të stimulohet në një formë apo tjetër kompanitë që investojnë”, tha për Telegrafin, ndërmarrësi Shaqir Palushi.