Pamje rrëqethëse, momenti kur FSK-ja nxjerr trupin e pajetë të 53-vjeçarit që u mbyt në Livoç

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka publikuar fotografi nga operacioni i nxjerrjes së një viktime nga uji i liqenit të Livoçit të Gjilanit.

Një skuadër e Kërkim-Shpëtimit në Ujëra e FSK-së me vendim të ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe urdhër të komandantit të Ushtrisë, gjeneral-lejtenant Rrahman Rama, është angazhuar mbrëmë rreth orës 22:00 në vlerësimin e gjendjes në liqenin e Livoçit, pas njoftimit nga Policia për dyshimet se aty kishte rënë një person nga Gjilani.

Operacioni i kërkimit nga zhytësit e FSK-së ka filluar sot në ora 09:00.

Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira për shkak se sipërfaqja e ujit mbi liqe ishte ngrirë.

Megjithatë, në saje të një pune profesionale, specialistët e FSK-së kanë arritur që të identifikojnë lokacionin dhe nxjerrin në breg trupin e viktimës.

Forcat e FSK-së trupin e pajetë të viktimës ua kanë dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipeve të Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme.

Këto janë fotot e operacionit për nxjerrjen e trupit të viktimës, raporton kallxo.com

Sipas Policisë së Rajonit të Gjilanit, viktima është E.Sh., i lindur më 1966.

Dyshimet se ai kishte rënë në liqe kishin lindur pas gjetjes së veturës së tij buzë liqenit.