Paraguaji ka shpallur gjendje emergjente për shkak të përmbytjeve

Paraguaji ka shpallur gjendje emergjente si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e fuqishme që kanë përfshirë vendin javët e fundit. Thirrjet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme u bënë pas përmbytjeve dhe daljes së lumenjve nga shtrati fillimisht në kryeqytetin Asuncion, dhe më pas në rajonin Neembucu, 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Zyrtarët njoftuan se javët e fundit, 40 mijë paraguajanë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si rezultat i përmbytjeve. Siç raportohet, 11 mijë nga të evakuuarit janë banorë të kryeqytetit Asuncion. Përkundër vendosjes në vende të larta, baza ushtarake apo sheshe të qyteteve, shumë qytetarë e kanë vlerësuar si të pamjaftueshme ndërhyrjen e qeverisë.

Pjesa më e madhe e tokës në Neemubucu përbëhet nga sipërfaqe të lagështa. Guvernatori Luis Benitez është shprehur se gjendja në gjashtë qyteza është “shumë e rëndë dhe kritike”. Autoritetet kishin shpallur gjendje emergjente 90-ditore në Asuncion më 3 prill si rezultat i përmbytjeve.