Partitë drejt finalizimit të listave zgjedhore

Partitë më së voni për tri ditë duhet t’i kompletojnë dhe dorëzojnë deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) listat me kandidatët për deputetët dhe bartës të listave me të cilat do të përfaqësohen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

LSDM-ja në pozitë sot në Kongres do t’i publikojë të gjithë bartësit e listave dhe kandidatëve, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare pasi t’i konfirmojnë nesër në seancën e Komitetit Qendror do t’i prezantojë pasnesër. Fundjavën e kaluar kandidatët e tyre për deputetët i zyrtarizoi Besa, e cila parazgjedhjeve lidhi koalicion me LSDM-në, vendime se mbesin në atë koalicion sollën Partia Liberale Demokratike dhe Partia e Pensionistëve, ndërsa koalicionit iu bashkëngjit Partia Demokratike e Turqve. PDSH-ja, bëri të ditur se do të dalë e vetme në zgjedhje.

Në koalicionin e LSDM-së deri më tani dihet se lideri Zoran Zaev do të jetë bartës në Njësinë Zgjedhore numër katër, krahas tij bartës liste do të jetë edhe nënkryetarja e partisë, Radmilla Shekerinska, ndërsa në NJ.Z e gjashtë, Bilall Kasami.

Zaevi dje paralajmëroi se në secilën njësi zgjedhore LSDM-ja shkon me dy bartës të listave – burrë dhe grua. “Do të kemi dy bartës liste, që të dy paralelisht do ta mbulojnë terrenin. Kjo është një cilësi e re, përveç numrit prej 50 për qind të grave do të kemi nga një bartëse liste grua dhe nga një bartës liste burrë”, deklaroi Zaevi, duke paralajmëruar se krahas tij, edhe zëvendëskryetarja partiake Radmilla Shekerinska do të jetë bartëse e listës për deputetë.Siç theksoi, në listat e deputetëve do të shihet vazhdimësi, por, do të ketë edhe fytyra të reja.

Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski, mbetet në qëndrimin që të kandidohet për deputet në zgjedhjet e 12 prillit dhe të jetë kandidat “shpic” i partisë për mandatar.

Për emrat e personave të cilët do të jenë kandidatë potencialë për deputet nga VMRO-DPMNE-ja do të vendoset në Komitetin Qendror të partisë të caktuar për nesër, pas çka listat e kandidatëve do t’i publikohen opinionit.

Siç deklaroi paraprakisht Mickoski, në koalicionin e VMRO-DPMNE-së mbetën partnerët e deritanishëm të koalicionit, ndërsa po bisedohet edhe me parti të tjera.

Sipas vendimit të Asamblesë Qendrore të Besës e cila mbrëmë i përcaktoi kandidatët për deputetë, në njësinë zgjedhore numër 1 kandidatë janë Kastriot Rexhepi dhe Jonuz Fejzullah, Në NJZ 2 janë Basri Bajrami dhe Shenasi Xheladini. Melinda Rashidi është kandidatje e vetme për deputet në NJZ 5. Më shumë kandidatë për deputetë ka në NJZ 6: Bilall Kasami, Fadil Zendeli, Hatije Etemi, Abdush Demiri, Fatlindja Jaja, Fatmir Sabriu, Flori Sinani, Isein Ajdari dhe Adnan Azizi. Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, paraprakisht në një intervistë për MIA-n tha se ai do ta kryesojë NJ.Z.e gjashtë të koalicionit të LSDM-së.

Bordi Qendror i PDL e cila mbetet në koalicionin e LSDM-së dje gjithashtu i përcaktoi kandidatët për deputetë të cilët do t’i promovojë në mënyrë plotësuese. Anëtarët e BQ të LDP-së kanë vlerësuar se koalicionimi i deritanishëm me LSDM-në është i suksesshëm, kështu që në periudhën e ardhshme duhet të rrumbullakohen reformat në tërësi për proces të suksesshëm evropian integrues.

BDI-ja e cila paralajmëroi dalje e vetme në zgjedhje, zyrtarisht nuk i bëri të ditur bartësit e listave me të cilët do të prezantohet në zgjedhje, por sipas publikimeve në disa medie gjatë fundjavës, Kryesia Qendrore e ka pranuar propozimin që Ali Ahmeti të jetë bartës në NJ.Z.6, Artan Grubi në NJ.Z. 1, Ejup Alimi në të dytën, Nafi Durmishi në të tretën, Artin Spahiu në NJ.Z. 4, Agim Shaqiri në NJ:Z. 5, ndërsa Xhevdet Spahiu në Nj.Z. 7.

Vendimin për daljen e vetme në zgjedhje në fundjavën e kaluar e bëri të ditur edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Në disa raste paraprakisht lideri i partisë, Menduh Thaçi tha se po bisedohet me RDK-në, por nga ajo parti para pak kohësh bënë të ditur se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

Liderët e LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së edhe dje porositën se janë të bindur për fitore. Në pyetjen se a do të japë dorëheqje nëse humb në zgjedhjet e caktuara më 12 prill Mickoski dje u përgjigj se është i bindur për fitore, ndërsa këtë, siç deklaroi, e bazon në vlerësimet nga anketat e mendimit publik. Sipas Zaevit, paraprakisht kishte rrezik, por tani është i sigurt se do të fitojnë në zgjedhje.

Në zgjedhjet të cilat duhet të mbahen më 12 prill nuk do të ketë lista të pavarura të kandidatëve, pasi në afatin e parakohshëm asnjë nga gjashtë kandidatët e paraqitur nuk i grumbulloi një mijë nënshkrimet e nevojshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e fundit solli udhëzim për procedurën për zgjidhjen e ankesave, ndërsa nga katër partitë e pozitës dhe opozitës të cilët në zgjedhjet e fundit kanë fituar më së shumti vota – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe Besa kërkuan propozime për anëtarë të Bordeve Zgjedhore.

Fushata për zgjedhjet do të fillojë më 23 mars, ndërsa do të zgjasë deri në mesnatën e 11 prillit.