Pasojat e ndarjes, italiani i vë zjarrin makinës në të cilën gjendej ish e dashura e tij

Një zënkë midis një gruaje dhe ish të dashurit të saj gati sa nuk ka përfunduar me një tragjedi në Vercelli të Italisë.

Sipas mediave, 41-vjeçarja Simona Roça u sulmua të hënën në mëngjes në parkingun e një qendre tregtare nga një burrë me të cilin kishte pasur një lidhje, me këtë të fundit që i vuri flakën makinës së saj në momentin që ajo ndodhej brenda mjetit.

Simona ndodhej ende brenda në kabinë kur flakët shpërthyen.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 në parkingun e “Carrefour”, pak pasi 50-vjeçari Mario D’Uonno, një ish-roje sigurie ta kishte sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje.

Siç thuhet tutje, 41-vjeçarja u shpëtua nga Ndihma e Shpejtë dhe u transportua në kushte shumë serioze në spitalin e Vercellit, ku më pas mjekët vendosën ta transferonin në Cto të Torinos.

Gruaja ka marrë djegie në fytyrë, qafë, shpinë dhe këmbë, duke bërë që gjendja e saj të mos jetë premtuese sipas mjekëve.

Dinamika e ngjarjes mbetet ende për t’u sqaruar, por nga hetimet besohet se dhuna e D’Uonnos erdhi pasi ai kishte refuzuar të ndahej nga Simona, përcjell gsh.

Të dy ishin ndarë shumë kohë më parë dhe gruaja kishte denoncuar tashmë ish-partnerin për ngacmime. 50-vjeçarit me dekret të gjyqtarit i ishte ndaluar t’i afrohej asaj.

Ndërkohë, sipas një rindërtimi të ngjarjes nga karabinierët, Simona punonte në qendrën tregtare si shitëse në dyqanin e Oviessës dhe sapo mbërriti në parkingun e saj, u sulmua nga ish i dashuri, i cili më pas i vuri zjarrin makinës ku ndodhej ajo.