PDK: Ideja e Ministrit të Vetëvendosjes që t’ia falë Serbisë daljen në Detin Adriatik, e rrezikshme dhe anti-kombëtare

Prishtinë, 6 mars 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb, ndërsa do të rrezikohej ekzistenca e shtetit të Kosovës.

Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik.

Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar.

Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike.

Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje.

Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik.

PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar.