Pendarovski: Merituam kapitull të ri në realizimin e qëllimeve strategjike

Në këto ditë të sfidave kur të gjithë jemi të kthyer kah më të afërmit tanë, shteti ynë bëri hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së qëllimit strategjik për hyrje në Bashkimin Evropian (BE), thekson në video -deklaratën, presidenti i Republikës së Maqedonisë të Veriut, në lidhje me vendimin për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë në NATO.

Liderët e vendeve anëtare vërtetuan se duhet t’i nisim bisedimet me Unionin. Komisioni Evropian do të kyçet në definimin e kornizës së bisedimeve, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare do të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Këtë moment e kemi pritur më shumë se 15 vite. Vendimi është i qartë dhe pa kushte shtesë. Ky është vërtetim për realizim të reformave të domosdoshme, por edhe për kompromiset e vlefshme që i kemi bërë në frymën e vlerave evropiane”, thotë presidenti Pendarovski.

Në periudhën që vijon na pret punë e vështirë.

“Duhet patjetër të bëjmë transformim të thellë të shoqërisë sonë dhe t’i arrijmë standardet e nevojshme për anëtarësim. Prej këtu, pas tejkalimit të krizës së epidemisë pres që faktorët kompetent politik t’i orientojnë të gjitha kapacitetet që sa më shpejt të përmbushet qëllimi përfundimtar”, thotë presidenti Pendarovski.

Ai u uron të gjithëve, siç thotë, të cilët viteve të kaluara punuan për ardhmërinë tonë evropiane. Shumë gjeneratave të politikanëve, personave profesionist në administratë, sektorit civil për debatet publike për çështje të rëndësishme edhe të mbikëqyrjes së përhershme të punës së institucioneve, por, para së gjithash qytetarëve për përkrahjen e lartë të përhershme për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

“Sot u dërgova letër falënderimi liderëve të vendeve anëtare të BE-së për përkrahjen e sinqertë në vazhdimësi. Para tre ditëve me pakon e paralajmëruar për ndihmë ekonomike edhe konkretisht u vërtetuam në solidaritetin evropian ende pa u bërë anëtare e plotë e organizatës edhe atë në periudhën e cila është e rëndë dhe pa precedentë për gjithë kontinentin, pa përjashtim”, thotë presidenti Pendarovski.

Më lejoni që ta shënoj aktin e anëtarësimit formal në aleancën e NATO-së i cili do të ndodhë, sot në orën 11:30, sipas kohës amerikane, në kryeqytetin e SHBA-së.

“Edhe pse përskaj periudhës së vështirë përmes të cilës po kalojmë nuk mundemi t’u gëzohemi dhe t’i shënojmë këto ngjarje ashtu si i ka hije, megjithatë, bëhet fjalë për suksese historike të cilat pas tre dekadave pavarësi, përfundimisht e vërtetojnë sigurinë dhe e garantojnë të ardhmen tonë. Na qoftë gëzuar të gjithëve. E merituam!”, thekson në deklaratën e tij, presidenti Pendarovski.