Pendarovski-Meta: Bashkëpunim rajonal për tejkalimin e krizës me Kovid-19

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot realizoi bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën.

Gjatë bisedës të dy presidentët kanë shkëmbyer informacione për gjendjen aktuale në të dyja shtetet, në kontekst të përballjes me pasojat e përhapjes së Kovid-19.

Presidenti Pendarovski, siç bëri të ditur kabineti i tij, ka informuar për masat që institucionet kompetente në vend i ndërmarrin në përballje me epideminë dhe vlerësimet për zhvillim të mëtejshëm të gjendjes. Presidenti ka theksuar se fokusi i shteteve, krahas përballjes me pasojat në planin shëndetësor, duhet të drejtohen dhe ndaj përballjes me pasojat në planin ekonomik dhe social.

“Duke e pasur parasysh konfirmimin e fundit të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e negociatave aderuese për anëtarësim, por pas anulimit të Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili duhej të mbahet më 7 maj në Zagreb për shkak të gjendjes me përhapjen e Kovid-19, presidenti Pendarovski shfaqi pritje se Bashkimi Evropian do të arrijë të gjejë modalitete për lëvizjen e procesit, në interes së të dyja shteteve dhe të vetë Unionit”, theksohet në kumtesë.

Bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmëri për shkëmbim të përvojave, koordinim dhe mbështetje atje ku nevojitet, në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit rajonal për përballje me epideminë, si dhe për tejkalimin e krizës socio-ekonomike të shkaktuar nga Kovid-19.

Presidenti Meta uroi presidentin Pendarovski dhe të gjithë qytetarët për hyrjen në NATO.