Pendarovski: Nëse Shqipëria ishte pengesë, BE duhet t’i jepte datë vetëm RMV-së

Kryetari i vendit, Stevo Pendarovski, ka theksuar se i gjithë tërë establishmenti politik në Maqedoninë e Veriut, përfshirë këtu edhe subjektet politike shqiptare në RMV, kanë qenë njëzëri dhe kanë deklaruar se nëse Shqipëria do të ishte pengesë për Brukselin si dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim, atëherë do të pranonin që të ketë vlerësim individual.

Këtë temë Pendarovski e kishte diskutuar edhe në takimin me presidentin francez Markron.

“Të gjithë politikanët relevantë shqiptarë dhe partitë relevante politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe ata që janë në funksione më të larta në Qeveri, përfshirë edhe z. Bujar Osmanin, që është i angazhuar për eurointegrimet, kanë deklaruar hapur se nëse eventualisht kjo ndodh, kjo nuk është dëshira jonë por vendim eventual i Brukselit, atëherë ne nuk do të duhej të ishim të dënuar, apo të jemi të vendosur në pozitë të njëjtë, pasi që procesi bazohet në plotësimin e kritereve. Nëse kjo është ashtu, nëse ne i kemi plotësuar të gjitha, atëherë duhet t’u jepni atyre që kanë plotësuar gjithçka atë që kanë merituar. Nëse të tjerët nuk i kanë plotësuar, ky është vlerësimi juaj, atëherë punoni me ata në bazë individuale”,- tha kryetari i vendit, Stevo Pendarovski.

Pendarovski njëherit theksoi se nuk ka marrë zotime të sigurta nga presidenti francez Makron se do të ketë një epilog pozitiv deri në Samitin e Zagrebit, ndërsa shpreson se metodologjinë e re të zgjerimit BE do ta sjellë deri në muajin mars.

Këto prononcime presidenti Pendarovski i bëri gjatë ceremonisë me rastin e klasit të 23 të kadetëve dhe të trajnuarve nga kursi i trajnimit të oficerëve dhe promovimin e klasës së 19 të kadetëve në Armatë.