Pendarovski tregon kur pritet fillimi i negociatave me BE-në

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në konferencën e sotme për shtyp para se të fliste për gjendjen aktuale të virusit korona në vend njoftoi se sipas informatave të fundit që ka Presidenca, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria pritet që në Këshillin e Ministrave me 26 mars të marrin dritë jeshile për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, përcjell Gazeta Expess.

“Edhe përkundër situatës kritike me virusin korona në Spanjë, ata kanë caktuar seancë për datën 17 të këtij muaji, në të cilën do të kenë vetëm një pikë në rendin e ditës, respektivisht ratifikimin e Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Sipas informatave të fundit që kam marrë dje dhe sot, koordinimet në Bruksel për marrjen e datës për fillimin e negociatave praktikisht kanë mbaruar. Më datë 18 të këtij muaji do të mblidhen ambasadorët e vendeve anëtare , ndërsa informatat tona tregojnë që me 26 mars Shqipëria dhe Maqedoni do të marrin dritë jeshile për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në”-tha mes tjerash Pendarovski.