Për borxh të vjetërsuar nga koha e Jugosllavisë, përmbaruesit tani kërkojnë dy mijë euro

Mile Angellovski, 27 vjet ka borxh të vjetërsuar prej 2 mijë dinarëve jugosllav. Siç pohon ai, borxhi është që nga koha e Jugosllavisë, kur është punuar me ceqe dhe kur është paguar me dinarë. Lajmërimin për pagesën e borxhit e ka marrë në vitin 2017, me shkallë të llogaritur të interesit. Angellovski pohon se nuk e ka, përkatësisht se asnjëherë nuk e ka marrë. As vetë nuk i kujtohet si e ka bërë borxhin, përkatësisht pse dy ceqe i kanë mbetur të pambuluara.

“Nga viti ’91, në vitin 2017 vjen vendimi për përmbarim, për 2 mijë dinarë, për dy ceqe nga Jugosllavia, në dinarë, për 2.000 dinarë, më vjen shuma prej 120 mijë denarëve. Para 27 vjetëve janë harruar dy ceka, ndoshta për shkak të ndryshimit të shtetit, më ka mbetur borxh prej 2 mijë dinarëve”, deklaroi Mile Angellovski, qytetar.

Me të njëjtin problem përballen edhe dhjetëra qytetarë të tjerë që janë mbledhur para Kuvendit. Kërkojnë nga deputetët të sjellin Ligj të ri për borxhet e vjetra.

“Banka e Maqedonisë është mbyllur qe 15 vjet, nuk më është thënë asgjë as gojarisht, e as në formë të shkruar, menjëherë më erdhën përmbaruesit. Asnjë vërejtje, ndërsa punëtori duhet të lajmërohet. Ne jemi të varfër por sido që të jetë do ta paguanim borxhin, e jo tani 90 mijë të paguajmë, ndërsa pensioni është nëntë mijë”, deklaroi qytetari.

Nga nisma “Stop përmbaruesve” kërkojnë që Komisioni ligjvënës të sjellë vendim në interes të qytetarëve me çka do të ketë vjetërsim të borxheve.

“Në Maqedoni ekziston ndërprerje e vjetërsimit. D.m.th. ekziston një situatë absurde një gjë që nuk ekziston askund në botë. Është ndërprerë vjetërsimi nga viti 2009 me ligj. D.m.th. ky vjetërsim të vlejë, të jetë e qartë dhe të mos ketë vjetërsim pas 15-20 vjetëve. D.m.th. të ketë afat”, tha Ana Gligova, nga shoqata “Stop Përmbarues”.

“Kot u prolongohet afati i pagesës, një e treta ose një e pesta, nëse kamata rritet deri në pafundësi. Duhet të gjendet zgjidhje që bankat dhe kompanitë private të heqin dorë nga shkalla e interesit. Ka raste ku më lajmërohen qytetarë, e lënë punën, fshihen, punojnë në të zezë, të rinjtë largohen nga vendi me qëllim që tu shmangen përmbaruesve”pohoi, Marjan Ristevski.

Para një muaji, Ministria e Drejtësisë uli tarifat prej 1000 në 300 euro, ndërsa përmbaruesit i mbyllën zyrat e tyre një ditë në shenjë revolte.

Përndryshe, nisma “Stop përmbaruesve” me vite proteston në shenjë revolte për punën e përmbaruesve.

Ata kërkojnë që të ndalojë bllokimi i llogarive të qytetarëve, të kufizohet periudha e pagesës së borxhit dhe të rregullohet çështja e vjetërsimit të borxhit.