Për hyrje të shtetasve nga vende të treta Greqia do të udhëhiqet sipas katalogut të BE-së

Lidhur me vendet e treta, jashtë BE-së, Greqia ka qëllim t’i përmbahet katalogut të përpiluar nga BE-ja, përderisa, ndërkaq, deri më 15 korrik nuk do të lejohen fluturime të drejtpërdrejta nga Britania e Madhe dhe Suedia, kumtojnë nga kabineti i kryeministrit grek, pas takimit që Kiriakos Micotakis e mbajti me ministrat kompetentë nga Qeveria e tij në prag të hapjes së turizmit më 1 korrik, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Micotakis theksoi se “i tërë procesi në hapje është dinamik dhe vazhdimisht do të vlerësohen të dhënat”.

Është bërë fjalë për mënyrat në të cilat do të zbatohet testimi i vizitorëve, për protokollet, si dhe për obligimin e detyrueshëm të turistëve, 48 orë para arritjes në Greqi ta kenë plotësuar formularin e posaçëm.

Konstatim i përbashkët, siç kumtuan nga kabineti i Micotakisit, ishte se është bërë përgatitje e drejtë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të ekzistojë siguri maksimale edhe për vizitorët dhe për popullatën lokale.

Në takim morën pjesë ministrat e Shëndetësisë, Turizmit, Politikës digjitale, Detarisë dhe Politikës ishullore, zëvendësministrat e Shëndetësisë, Mbrojtjes civile, për koordinim të punës së qeverisë, si dhe kryetari i Organizatës nacionale për shëndet publik dhe profesori epidemiolog kompetent për Kovid-19.