Përkthyesi i ekspertizës tek Rasti Dehari e pranon se bëri lëshime, thotë se kishte shumë pak kohë

Përkthyesi i raportit të ekspertizës zvicerane për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, Ismail Ismaili, ka rrëfyer momentet se si atij iu dorëzua tërë raporti.

”Raportin unë e kam marrë të premten në ora 15:30, më kanë lajmëruar këta me të cilët punoj të Agjensionit të Përkthimit”.

”Prokurori bashkë me bashkëpunëtorët e tij kanë hapur dy zarfe dhe aty ka qenë raporte nga Lozana. Njëri raport ka qenë 14 faqe, tjetri 40 faqe. Të premten e kam nisur nga ora 17:00 për ta përkthyer, deri tek të mërkurën në ora 13:00 kur e kam kryer përkthimin dhe e kam dorëzuar në Prokurori”.

Ai ka treguar dhe se si ngjau që për një kohë të shkurtër të përkthente 40 faqe raport, i tëri në gjuhën frënge, njofton Klan Kosova.

”Përkthimi ka zgjatur 4 ditë. Të përkthesh një raport të tillë me 40 faqe, të një rëndësie të madhe – nuk është e drejtë, nuk mund të bëhet përkthimi siç duhet. Lë pak nuanca që të cilat nuanca i kanë dhënë edhe mjekët vet”.

Ismaili në rrëfimin e tij për Info Magazine të Klan Kosovës, tha se ky është raporti i tillë i parë i përkthyer nga ai dhe për shkak të presionit të kohës ka mundësi të ketë bërë lëshime.