Plenkoviq: Pres që gjatë kryesimit tonë Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është shumë me rëndësi për Kroacinë. Shpresoj se Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat me BE-në që para samitit të Zagrebit në maj. Këtë mbrëmë vonë e tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, gjatë takimit me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, lajmëroi korrespondenti i MIA-s.

Kroacia ka rol aktiv në përpjekjet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat sa më parë, shtoi Plenkoviq.

Zëvendëskryeministri Osmani, në takimin në Zagreb, personalisht iu falënderua kryeministrit kroat për angazhimin e tij lidhur me zgjerimin e BE-së.

“Si fqinje e afërt e Ballkanit Perëndimor dhe praktikisht pjesë e rajonit më të gjerë ballkanik, nuk kam dilemë se Republika e Kroacisë sinqerisht angazhohet për promovimin dhe intensifikimin e perspektivave evropiane në gjithë Ballkanin, duke pasur parasysh marrëdhëniet miqësore afatgjate, dhe mbështetjen e sinqertë për integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, kryeministrit Plenkoviq i tha se, sipas tij, metodologjia e re për zhvillim të negociatave me BE-në jep mundësi për reforma të vërteta në shtetet aspirante për anëtarësim.

“Në prag të diskutimeve në mars të Këshillit ndihma e Kroacisë do të jetë e rëndësisë së veçantë të përgatitet tereni dhe të mundësohet marrja e vendimit për negociata së bashku me metodologjinë. Metodologjia sipas vlerësimeve tona jep më shumë për ata që do të arrijnë më shumë dhe jep më pak për ata që nuk do të kenë sukses të japin mjaftueshëm. Për këtë arsye mendojmë që na jep shansin ta mbushim kohën e humbur dhe të tregohemi se jemi të aftë ta kalojmë rrugën deri në anëtarësim”, theksoi Dimitrov.

Në kuadër të vizitës në Kroaci, Osmani dhe Dimitrov realizuan takime edhe me ministrin kroat të Punëve të Jashtme, Gordan Gërliq Radman, si dhe me kryetarët e komisioneve parlamentare për politikë të jashtme dhe për çështje evropiane pranë Saborit kroat, Miro Kovaç dhe Domagoj Ivan Millosheviq.