Po, shqiptarët janë gati për Kryeministër, por ai të jetë personalitet unifikues

Koment:www.infoalb.mk

Çdo popull i ka liderët e vet çfarë i meritojnë, kjo vlen edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Lideri ynë, Ali Ahmeti, me qëndrueshmërinë e tij në kauzat nacionale, e filloi me Kosovë e finalizoi në Maqedoninë e Veriut, duke qenë pika mbështetëse e realizimit të vizionit të një shteti demokratik me vlera euro-atlantike.

Këto integrime, tashmë kanë marrë udhë, NATO u kry, ndërsa integrimi në BE po përparon. Të gjitha të drejtat e shqiptarëve, po realizohen një për një. Kjo duhet falënderuar unitetit të shqiptarëve, besimit te kauzat e veta dhe vota shqiptare.

Uniteti i dëshiruar, është rrugë e kamotshme e Ali Ahmetit, andaj, në këtë kohë, ai promovoi një ide, për Kryeministrin shqiptar. Ide kjo, sa e mundshme, aq edhe me dilema për partitë politike shqiptare. E mundshme, sepse, tërë faktori politik shqiptar, do të votonte për një kandidat, dhe balancat e dëmtuara rëndë te faktori maqedonas, do ta mundësonte këtë, ndërsa me dilema për partitë politike shqiptare, sepse secila do ta donte këtë post për vete.

Kuptohet, çdo parti politike shqiptare e vlerëson e mbivlerëson veten dhe do të hapte beteja të pafund. Këtë gjendje do ta ilustronte një barsoletë.

Kur e pyeti Mbreti i Egjiptit, Mbretin e atëhershëm të Shqipërisë, po pse ke aq probleme në Shqipëri, kur ti ke vetëm një milion banorë, Zogu iu përgjigj se Mbreti i Egjiptit i ka 20 milion qytetarë dhe një mbret, unë jam një mbret i një milion mbretërve.

Por, a janë mbushur mend shqiptarët se s’janë të gjithë mbretër, në përgjithësi mund të thuhet po, prandaj, Ali Ahmeti me vizionin e tij për kryeministrin shqiptar, e ka menduar unitetin dhe ndaljen e njollosjes së shqiptarëve mes vete, duke qenë unik, duke grumbulluar vota vetëm me një kandidat, edhe do të bëhej e mundshme.

Por, sigurisht, z. Ahmeti nuk e ka menduar kandidatin partiak, madje as të BDI-së, jo se nuk ka vlera te BDI-ja, por shqiptarëve ju duhet personaliteti unifikues. Qytetarët por edhe personalitetet e shquara shqiptare në Maqedoninë e Veriut, janë treguar unik, kur ishte çështja me rëndësi për kombin, andaj, të gjithë duhet të shprehim respekt para të urtëve të vet.

Të urtët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, janë të kalibrit të z. Omer Xhemailit apo Lazim Destanit. Ky i fundit, i ka bërë nder shtetit dhe kombit, dhe tashmë është i njohur në qarqet globale për sukseset e tij, humanizmin dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Kalibri i tij, do të ishte person unifikues dhe dalëzotës i çështjeve që i mundojnë shqiptarët.

Në këtë kontekst, ideja për kryeministrin shqiptar nuk është për të hapur garën brenda funksionarëve të BDI-së, por me forcën e votës së BDI-së, të promovojë vlera që çdo komb e çdo shtet do të na kishte lakminë.

Propaganda për kryeministrin shqiptar, të personave si Bujari, Artani, Musa, Blerimi, Teuta e disa të tjerë, është lojë dëbuese për çdo anëtar e simpatizant të BDI-së. Është dëbim për unitetin e shqiptarëve, është nxitje e faktorit maqedonas, të ndërtojmë ura të fuqishme centrifugale dhe minimizimit të faktorit shqiptar.

Andaj, kjo garë brenda elektoratit të BDI-së, qoftë edhe në forma testesh, duhet ndalur, është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Andaj, kandidimi në rrjetet sociale dhe mediat, duhet evituar, sepse as Drini i Zi nuk e lanë këtë turp.