Prokuroria Speciale lëshon urdhër-arrest për Milan Radojçiqin, dyshohet për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Prokurori i rastit, Sylë Hoxha ka konfirmuar për  Express se në fillim të kësaj jave është lëshuar urdhërarrest ndaj nënkryetarit të Listës Srpska, Milan Radojiciq.

“Po mund të ju konfirmoj që Prokuroria Speciale e Kosovës më datë 21 janar ka lëshuar urdhërarrest vendor për Milan Radojciqin, si të dyshuar për përfshirje në rastin e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Syla.

Ndësa, brenda pak ditësh pritet që ndaj nënkryetarit të arratisur të Listës Srpska, të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar.

“Prokuroria në bazë të kompetencave të saja pritet që së shpejti të lëshojë urdhërarrest ndërkombëtar”, ka thënë Syla.

Radojciq, i cili konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i Veriut, ka qenë target në një operacioni të kryer nga njësitë speciale të Kosovës në orët e para të mëngjesit të 23 nëntorit.

Zyrtafri i lartë i Listës Srpska, që cilësohet si i dyshuari kryesor në rastin e Ivanoviqit, ishte arratisur, ndërsa policia arrestoi tre të tjerë, të cilët po mbahen në paraburgim.

Në mesin e të arrestuarve është Marko Rosiq, pjesëtar i Policisë së Kosovës, dhe Ndeljko Spasojeve e Dragisha Mirkoviq.