Qeveria kalimtare, debat mes LSDM dhe VMRO-DPMNE

Lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka deklaruar se në takimin e liderëve ka propozuar që Qeveria kalimtare të formohet nga kjo javë, por kjo është refuzuar nga kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev.

“Në takimin me kreun shtetëror propozova që këtë javë të formojmë Qeveri teknike dhe të fillojmë ta numërojmë 100-ditshin e fundit, dhe më pas të ketë zgjedhje, por këtë e refuzoi Zaevi”, tha Mickoski.

Më tej Mickoski deklaroi se Zaevi do të largohet nga pushteti, pasi që ka “tregtuar me Maqedoninë”.

Ndërkaq Zaevi pas takimit të liderëve tha se, ka propozuar që zgjedhjet të mbahen në muajin dhjetor, por kjo është refuzuar nga opozita, me pretekstin se nuk do të ketë kohë për Qeveri teknike dhe se Kuvendi i RMV-së duhet të jetë funksional për ta ratifikuar Protokollin e anëtarësimit të RMV-së në NATO.

VMRO-DPMNE është parti që, jo vetëm shet patriotizëm të rremë, por ka qenë një zë i lartë kundër integrimit të vendit në NATO dhe në BE, ajo ka qenë kundër përparimit dhe kundër reformave, thuhet në ragimin e LSDM-së, pas deklarimeve të liderit të VMRO-së, Mickoski, i cili ka akuzuar zaevon dhe LSDM për tregti me interesat e Maqedonisë së Veriut, përcjell in7.

Sipas kësaj partie, VMRO-DPMNE ka pasur më shumë se një dekadë për të bërë diçka për vendin, kohë të cilën kjo parti, siç thonë ata, e ka shfrytëzuar për të instaluar regjim, të cilin tani duan që ta reinstalojnë, por, sipas LSDM, më 12 prill do të pësojnë debakël.

“Dekada e sundimit të VMRO-DPMNE është dekada më e errët e vendit tonë. Stanjacioni, izolimi, mbyllja, pasiguria, grindja me të gjithë fqinjët, e shënuan dekadën e sundimit të VMRO-DPMNE-së. Ndarja e qytetarëve dhe ndarja e mediave, pa të drejtë vote, pa gazetari të pavarur. Kodi i VMRO-DPMNE-së për të cilin flet Mickovski është një kod për rindërtimin e regjimit. Shqetësimi i rremë i VMRO-DPMNE-së për shtetin dhe qytetarët nuk i shkon për shtati VMRO-DPMNE-së. Kishin kohë një dekadë për të bërë diçka. Por ata nuk bënë asgjë për shtetin dhe qytetarët. E vetmja gjë për të cilën ata interesohen është se si të rinovojnë regjimin e të vazhdojnë rrugën e mbrojtjes së krimit dhe kriminelëve. VMRO-DPMNE është parti pa vizion, nuk ka program dhe qëllim konkret, prandaj i pret një debakël i vërtetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në 12 Prill, qytetarët do të votojnë për përparimin, zhvillimin, integrimin, do të konfirmojnë se shteti është në rrugën e duhur!”, përfundon reagimin e saj LSDM-ja.