Ramiz Lladrovci kujton me nderim rezistencën e Familjes Jashari

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e 21 vjetorit të sulmin të ushtrisë dhe policisë serbe kundër Familjes Jashari, ka shkruar se “sot e gjithë jetën, jemi falënderues ndaj familjes amblematike Jashari, e cila përjetësoi rezistencën me frymën heroike skënderbejane deri në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit”.

Ja postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

“Sot, e kujtojmë me nderim të thellë, qëndresën e Familjes Jashari përball sulmit të militarëve serbë, para 21 vitesh. Ajo ditë hyri në histori, sepse, ishte edhe fillimi i fundit të okupimit serb. Ky sulmi i dytë i falangave serbe, jepte argumente të fuqishme se i madh e i vogël i Familjes Jashari, do t’i qëndronte përball forcave serbe, me tërë kapacitetin njerëzor e mbinjerëzor, për liri dhe çlirim. Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, do ta turpëronte një regjim gjakatar që për rreth një shekull, provoi ta nënshtronte kombin shqiptar. Sot e gjithë jetën, jemi falënderues ndaj familjes emblematike Jashari, e cila përjetësoi rezistencën me frymën heroike skënderbejane deri në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi e përjetshme Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”