Rasti që BDI të ruaj e fuqizoj identitetin e shqiptarëve në Maqedoni

Duke qenë parti fitimtare për 20 vite, shpresojmë që edhe më tej BDI t’i prij bindshëm shqiptarëve në institucione, duke u bërë parashtruese, mbrojtëse dhe promotorë i vlerave, të drejtave dhe identitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Është rasti që BDI, të dalë ballas LSDM-së dhe Zaevit, për masat e parapara. Masat e Zaevit, faktorin shqiptar në Maqedoni e bëjnë vegël dhe nëpërkëmbin, duke e bërë që pas disa muajve, të marrë shkopin e lypsarit.

Pse? Sepse duke e paracaktuar pagën për funksioner dhe administrate në 14.500 denarë, duke menduar për strukturat e caktuara si të paprekshme si mjekët, personelin mjekësorë, policët dhe ushtarët të cilët janë në ballë të luftimit të pandemisë, kriza prek shtresën ku shqiptarët janë të angazhuar në përqindje më sinjifikative si arsim, administratë apo biznes privat.

Vetvetiu, shqiptarët ende nuk përfaqësohen me përqindje në institucionet e shtetit, ku nuk do të prekeshin nga ky restriksion, së këndejmi, edhe goditen më shumë. Shqiptarët, duke mos qenë të përfaqësuar sa duhet në institucione, ekzistencën e vet e bazojnë mbi biznesin privat e familjar.

Shqiptarët nuk vdesin urie, por nëse shteti nuk i përkrah në pikat ku shqiptarët janë të fortë, do të rrezikohet edhe biznesi, edhe vendet e punës, edhe e ardhmja e shqiptarëve. Dihet se, biznes privat nuk paguan rroga kur nuk ka punë, kështu, duke mos punuar biznesi privat, qindra mijëra punëtorë shqiptarë, mbesin pa të ardhura dhe pa mbështetje.

Kështu, bizneset private e familjare reduktohen dhe shumë prej tyre do të falimentojnë. Këtë duhet ta pengoj BDI dhe ingerencat e ministrive që i udhëheq brenda qeverisë së përkohshme, duke propozuar plan gjithëpërfshirës për përkrahjen e familjeve në nevojë, biznesin privat dhe zinxhirin prodhues.

Nëse këtë nuk e bën BDI, do të dobësoj jo vetëm vet BDI-në, por edhe tërë faktorin shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe dinjitetin e shqiptarëve, të cilët, pa përkrahje, do të kërkojnë rastin për shpërngulje, mbylljen e bizneseve dhe rritjen e varfërisë, duke i detyruar të kërkojnë zgjidhje, jashtë komunave ku jetojnë me shekuj.

Presim të gjithë ne, reagim konform situatës, duke u bërë si gjithmonë BDI flamurtare e të drejtave tona, mbrojtëse dhe promovuese e gjithçkajes shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke përdorur të gjitha strategjitë. Këtë fundja ia detyron historia! /REDAKSIA INFOALB