Reisi shpërndan ndihma nëpër spitale

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë ka vazhduar aksionet e ndihmave humanitare në përballim të pandemisë Covid-19. Personalisht Kryetari i saj, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, më 4 prill, 2020, ka dalë në terren për të shpërndarë ndihmat e BFI-së..
Në këtë ditë, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, Kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut ka qëndruar në spitalin “8 Shtatori” në Shkup dhe Repartit të tij të Gastroenterohepatologjisë i ka dorëzuar një numër të pacaktuar maskash për të punësuarit dhe pacientët e kësaj njësie spitalore. Ndihmën e ka pranuar drejtori i Repartit, dr. Jusuf Veseli.
Kryetari i BFI-së, ef. Rexhepi dhe drejtori dr. Veseli, me këtë rast, janë shprehur optimistë në tejkalimin e pandemisë së koronavirusit, duke bërë thirrje për respektimin e urdhëresave dhe të rekomandimeve të organeve shtetërore, si dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në përballimin me sëmundjen që ka përfshirë pothuajse tërë botën. Dr. Veseli ka falënderuar Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepin për ndihmën e dorëzuar, të cilën e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme, për shkak se – ka thënë ai – vjen nga një Bashkësi Fetare dhe nga vetë Kreu i saj.