Reisul Ulema dhe Rijaseti i BFI-së shprehen rreth gjendjes së jashtëzakonshme

Sonte, një pjesë e Rijasetit të BFI-së në RMV, në një mbledhje urgjente në të cilën morri pjesë me diskutimet e veta edhe Reisul Ulema i BFI në RMV h. Sulejman ef. Rexhepi, u analizua gjërësisht vendimi i Presidentit të RMV z.Stevo Pendarovski për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend, në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid 19.
Konstatimi unanim që doli nga kjo mbledhje e Rijasetit të BFI-së është se ai, bashkë me Reisul Ulemanë, përkrah çdo inisiativë dhe vendim institucional që shkon në interes të përbashkët të popullit të Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe fetare.
Në këtë drejtim, vendimi i Presidentit të RMV, z. Pendarovski, u vlerësua se është i sjellur për të mbrojtur shëndetin e popullatës, gjë e cila në këto kohë të përhapjes së virusit vdekjeprurës Covid 19 është dhe mbetet prioritet në angazhimin e të gjithë neve.
Në mbledhje poashtu u tha se BFI e RMV, edhe pse do të jetë dukshëm e dëmtuar nga masat e jshtëzakonshme, do angazhohet maksimalisht për të qenë krah i fuqishëm në luftën kundër epidemisë, por njëkohësisht shpreson dhe pret mirëkuptimin dhe solidaritetin e shtetit në këtë situatë të krijuar.
Mbledhja e Rijasetit të BFI në RMV përfundoi me qëndrimin se Institucioni i vetëm fetar islam në vend i dëshiron sukses dhe mbarësi vendimeve të Qeverisë së RMV dhe Presidentit të shtetit që janë në funksion të tejkalimit të krizës në të cilën po gjendemi, por, gjithashtu BFI e RMV është dhe do mbetet përkrahëse e parezervë e funksionimit të shtetit juridik, ku shpreson se do të jetë edhe në praktik shtet juridik.