Bekteshi ia bën bajat Ljajicit!

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga Inspektorati i Tregut dhe Drejtoria e Doganave të bëjnë kontrolle shtesë mbi importin e mallrave nga Serbia dhe eksportet në Kosovë. Kjo vjen pasi autoritetet serbe njoftuan se bëhet rieksport i produkteve serbe përmes tregut të Maqedonisë në Kosovë. Ata paralajmërojnë gjoba nëse vërtetohet se një mundësi e tillë ekziston. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se informacioni i tillë nga pala serbe është alarmant.

Nëse shohim se ka ndryshime të mëdha në shifrat e viteve të mëparshme dhe muajve të mëparshëm, atëherë me siguri do të veprojmë dhe do të bëjmë kontrolle mbi mundësinë e ripaketimit ose rieksportimit nga Republika e Maqedonisë të produkteve serbe – deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Bekteshi thotë nëse deklaratat e autoriteteve serbe janë paushallë, kjo mund ta dëmtojë bashkëpunimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Është krejtësisht jokorrekte, nga ana e tyre që ata përfshijnë Maqedoninë në problemet bilaterale që kanë me palën kosovare – u shpreh Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Mullisët në fillim të javës alarmuan se zyrtarët e doganave të Kosovës janë duke bërë kontrolle shtesë, për miellin e importuar nga Maqedonia me dyshimin për rieksport nga Serbia. Ata thonë se thasët e miellit qëndrojnë në terminalin doganor me ditë, gjë që shkakton dëm të madh. Më parë këtë javë, ministri serb i Tregtisë Rasim Ljajiq tha se prodhimet serbe po ripaketohen në Maqedoni dhe rieksportohen në tregun e Kosovës. Kompanitë tregtare në vend që eksportojnë në tregun e Kosovës, dje mohuan se ekziston një dukuri e tillë dhe kërkuan nga autoritetet serbe mos e ngatërrojnë Maqedoninë në kontestet bilaterale që kanë me Kosovën.