RMV, rrogës mesatare i mungojnë 100 euro për të mbushur shportën minimale

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistikë, paga mesatare në dhjetor të vitit 2019 ka qenë 26.836 denarë ose 436 euro, kurse shporta minimale sindikale për janar të këtij viti, që e publikoi Lidhja e sindikatave të Maqedonisë, (LSM) është 32.791 denarë ose 533 euro, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në shportën e cila përllogaritet për çdo muaj të vitit, janë përfshirë nevojat minimale për ushqim dhe pije, banim, higjienë, transport, veshmbathje, kulturë dhe shëndet. Ajo tregon që, pothuaj një pagë e plotë mesatare në Maqedoni harxhohet për ushqim, pije dhe për fatura. Më saktësisht, shporta për janar, sipas përllogaritjeve të LSM-së sugjeron që për ushqim dhe pije atë muaj janë nevojitur 13.669 denarë, ndërsa për banim (harxhime komunale, orendi shtëpiake dhe mirëmbajtje) 10.431 denarë ose 41,69 përqind e rrogës. Për transport, mesatarisht, janë nevojitur 2.425 denarë, për veshmbathje 2.155 denarë, për higjienë 2.336 denarë, ndërsa më së paku për kulturë dhe shëndet, 1.966 përkatësisht 706 denarë në muaj.

Vlera e shportës minimale të sindikatës në tre vitet e kaluara është përafërsisht e njëjtë megjithëse, pak a shumë, dallojnë çmimet e rregulluara të rrymës, ngrohjes qendrore, ujit, që i zmadhon shpenzimet jetësore. Për shembull, vitin e kaluar ajo ka qenë 32.751 denarë,kurse muajin e njëjtë 2018 ka qenë 32.354 denarë. Këto përllogaritje të LSM-së janë për familje katër anëtarëshe që jetojnë në banesë prej 50 metra katrorë dhe nuk posedojnë automjet. Ndërkaq aty nuk përfshihen shpenzime për pushim veror dhe dimëror, as shkuarje në kafene apo restorant, si dhe shërbime në floktari apo të tjera të cilat janë gjithsesi pjesë e përditshmërisë.

Sot familja mesatare në Maqedoni nuk jeton shumë më mirë se para 10 vitesh, megjithëse të gjitha qeveritë e deritanishme lavdërohen me rritje të pagave, të pensioneve, të pagës minimale, përmirësim të standardit…

Komunikata e fundit e Entit shtetëror për statistikë për vlerën e shportës së konsumit për ushqim dhe pije, thotë që në periudhën tetor–dhjetor 2010, një ekonomi shtëpiake katër anëtarëshe ka qenë në gjendje me një neto page mesatare ta mbushë shportën mesatare për ushqim dhe pije. Neto-paga mesatare për dhjetor 2010 ka qenë 21.454 denarë, kurse shpenzimet e përgjithshme për ushqim dhe pije janë përllogaritur në 12.342 denarë, ose më tepër se gjysma e rrogës mesatare.

Përndryshe, nga fillimi i vitit 2011 Enti shtetëror për statistikë e ka ndërprerë përllogaritjen e shportës së konsumit sipas kritereve të deritanishme dhe filloi t’u përmbahet rekomandimeve të BE-së në drejtim të harmonizimit të sistemit statistikor të Maqedonisë me atë të vendeve të BE-së. Sipas shembullit të vendeve tjera të Bashkimit edhe te ne obligimin për përpunimin e shportës së konsumit e ka marrë LSM-ja.