Rritet numri i viktimave nga tërmeti

Në detin Adriatik dhe Shqipëri në vazhdimësi janë duke u regjistruar tërmete, të cilat numrin e viktimave e kanë dërguar deri në 20-të. Më i fuqishmi mbetet ai i orës 4 të mëngjesit, me lartësi prej 6.4 ballë, i cili ka zgjatur 30 sekonda dhe ka qenë i thellë deri në 40 kilometra, transmeton Portalb.mk.

Tërmeti i fundit që u regjistrua ishte prej 3.5 ballësh në ora 17:00.
Është paralajmëruar se numri pritet të rritet, pasi që ka numër të madh të objekteve të rrënuara, nën të cilat kanë ngelur të ngujuar qytetarë. Si pasojë e tërmeteve, janë hospitalizuar 600 persona të lënduar, ndërkaq janë regjistruar edhe dëme të mëdha materiale. Është ndërprerë procesi arsimor për sot dhe nesër.

Deri tash, njësitet ushtarake dhe policore kanë arritur të shpëtojnë 43 individë.

U paralajmëruan ndihma financiare dhe ushtarake

Për të sanuar dëmet materiale dhe për realizuar operacion të kërkimit dhe shpëtimit, ndihma financiare dhe ushtarake janë dërguar dhe po dërgohen nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Itali, Greqia, Franca dhe Turqia.

Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, ka publikuar xhirollogaritë bankare ku mund të dërgohen donacione për sanim të dëmeve nga tërmetet.

Ato janë:
IBAN ne ALL (Lek): AL29 2121 1016 0000 0000 0030 0001
IBAN ne EUR : AL72 2121 1016 0000 0000 0030 0003
IBAN ne USD: AL02 2121 1016 0000 0000 0030 0002

Në lidhje me këtë, ministri në detyrë, Gent Cakaj ftoi të gjithë të ofrojnë ndihmën e tyre.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme fton të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe bizneset të ofrojnë ndihmën e tyre në këtë moment solidariteti për qytetarët në nevojë të prekur nga tërmeti”, tha Cakaj.

Tërmeti prej 6.4 ballë, konsiderohet të jetë më i fuqishmi që pas vitit 1979 dhe i pesti në botë për këtë vit.

Tërmetet janë ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, kurse nuk kanë munguar reagime nga krerët shtetërorë si nga Shqipëria por edhe jashtë saj, ndërkaq në media botërore kjo ngjarje ka zënë ballinën e tyre.

Pas Shqipërisë, tërmet i fuqishëm e ka goditur edhe Bosnje e Hercegovinën, në lartësi prej 5.4 ballë të shkallës së Rihterit.