Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”: Abuzimit seksual i një vajze të mitur, vepër penale e parashikuar nga neni 100/2 nga Kodi penal

Mbi rastin e abuzimit seksual të një vajze të mitur nga një grup bashkëmoshatarësh në Qytetin e Kavajës (vepër penale e parashikuar nga neni 100 /2 të Kodit Penal)

Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”, që nga momenti i publikimit të rastit të abuzimit të një vajze të mitur nga një grup bashkëmoshatarësh, ka ndjekur me kujdes rastin në fjalë. Nëpërmjet kësaj deklarate publike, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për ta trajtuar këtë çështje me një kujdes të veçantë etik dhe profesional.. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes, nxisim dhe kërkojmë nga autoritet përgjegjëse ta trajtojnë ngjarjen sa më shpejt me  angazhimin e duhur dhe maksimal, në  zbatim të detyrave dhe përgjegjësive që ka secili autoritet  dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.

Për këtë arsye Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve” kërkon:

  1. Marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin dhe rehabilitimin psiko-shëndetësor të viktimës, duke i ofruar shërbime emergjente. Këto shërbime duhet t’i ofrohen si viktimës, ashtu edhe anëtarëve të tjerë të familjes, shërbime këto të parashikura nga udhëzimi nr.816, datë 27/11/2018. Njësojshmëri për trajtim psiko-social paraqesin edhe bashkëmoshatarët e tjerë, që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, por që janë të prekur nga zbardhja e kësaj ngjarjeje.
  2. Autoritetet përkatëse të marrin masa për mbrojtjen e jetës private të miturës dhe familjes, si dhe të mospublikimit të  dhënave për këtë rast (përcaktime të parashikuara nga nenet 33 dhe 43 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur).

Rrjeti i organizatave “Zëri i të Rinjve” dhe anëtarët e rrjetit kanë një eksperiencë shumë të madhe në fushën e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, duke ndihmuar me qindra gra dhe vajza çdo vit për të pasur akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe seksual, nëpërmjet shërbimeve miqësore shëndetësore,  edukimit seksual gjithëpërfshirës dhe plotësimit të kurrikulave shkollore me materialet edukuese, si edhe formim të aftësive të duhura për një jetë të shëndetshme . Për të  parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  dhe çdo aktor tjetër që punon në këtë fushë, që:

  • Kurrikulat e Edukatës Gjithëpërfshirëse Seksuale dhe Shëndetësore dhe aftësimit për jetën  të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit dhe mësuesit të trajnohen për një mësimdhënie të përshtatshme dhe të duhur sipas moshës. .
  • Shërbimet Shëndetësore Miqësore për të rinjtë të jenë pjesë e paketës se shërbimeve në sistemin parësor shëndetësor. Të trajnohen ofruesit e kujdesit shëndetësor për të ofruar këto shërbime. Pjesë e këtij procesi duhet të jenë edhe mjekët e shkollave. Ky objektiv është i parashikuar edhe në objektivin 3.4 të Planit të Veprimit të Rinisë 2015-2020.
  • Të rritet roli i psikologut dhe punonjësit social në shkolla, me qëllim kapjen e hershme të rasteve të abuzimit seksual ndërmjet bashkëmoshatarëve.
  • Të ngrihen rrjetet e edukatorëve bashkëmoshatar në shkolla si një mënyrë efikase e testuar në botë për parandalimin e rasteve të abuzimit seksual. Ky objektiv është i parashikuar edhe në Planin e Veprimit të Rinisë  2015-2020.
  • Të rritet efektiviteti i punës të strukturave shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, për t’u gjendur më pranë problemeve të ndjeshme qe kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.
  • Të ndërmerret menjëherë një fushate kombëtare sensibilizimi mbi të gjitha format e dhunës, duke targetuar adoleshentët dhe denoncimin e rasteve aktuale.

Anëtarët e Rrjetit “Zëri i të Rinjve” angazhohen në ndërmarrjen e nismave për respektimin e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues për të siguruar të rinjve dhe të rejave një jetë me mirëqenie të plotë mendore, fizike dhe sociale.

Kjo deklaratë mbështetet nga këto organizata:

  1. AIESEC Albania
  2. Aksion Plus
  3. Albania Community Assist
  4. Fondacioni Arsimor Shqiptar
  5. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut
  6. Grupimi “Pesë Plus”
  7. INFINIT PLUS
  8. Klubi i të Rinjve “Petro NINI”
  9. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
  10. Qendra “ACT for SOCIETY
  11. Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore
  12. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD)
  13. Qendra TED (Trajnim, Edukim, Demokraci)
  14. Roma Active Albania
  15. Rrjeti Kombëtar i Edukatorëve Bashkëmoshatarë -Y-PEER Albania
  16. SOS Fshatrat e Fëmijëve-Shqipëri
  17. Together for Life
  18. Young Men’s Christian Association
  19. Young Women’s Christian Association