Rukiqi thotë se Kosova ka fuqi punëtore por jo të certifikuar

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se në Kosovë ka fuqi punëtore, por shumica e tyre nuk janë të certifikuar.

Duke përmendur fillimin e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, Rukiqi ka thënë se kompanisë ndërtimore do t’i duhen punëtorë të certifikuar sipas standardeve evropiane dhe sipas tij, punëtorë të tillë nuk ka shumë në Kosovë.

Ai ka thënë se shumica e prodhuesve në Kosovë janë në dilemë nëse do të investojnë në fuqi punëtore apo në automatizim, pasi sipas tij, fuqia punëtore nuk është e gatshme për punë.

“Fuqia punëtore nuk është e gatshme, nuk janë në kuantitetin e duhur. 70 apo 80 për qind i bazojnë në makina që janë automatike. E tërë kjo situatë që është krijuar, ku njerëzit nuk janë të interesuar që të punojnë për shkak të sektorit publik, apo edhe ikjen jashtë vendit, ka detyruar kompanitë që të mendojnë për alternativa tjera”, ka thënë Rukiqi në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

“Ne nuk po mund të shfrytëzojmë avantazhin që kemi. Kam parë një inters të jashtëzakonshëm për këtë pjesë të Evropës. Hungaria më nuk ka kapacitet. Ne po vijmë në situatën që po humbin avantazhin duke parë se sa shumë njerëz nuk janë të interesuar që të aftësohen dhe të kualifikohen dhe nuk janë në gjendje të shohin trendin e punëve”, ka shtuar ai.

“Punën e kemi te dera [Kosova e Re]. Aty do të kërkohen elektricistët, salduesit, muratorët. Për të gjithë do të kërkohet të jenë të certifikuar sepse standardi është i lartë për ata që punojnë. Nëse nuk i kemi këtu [punëtorët], ata do t’i marrin në ndonjë shtet tjetër. Çekia sot ka 1.3 për qind normën e papunësisë. Ky shtet po bën thirrje që të mos ketë skema që përkrahin investime ku kërkohet intensitet i fuqisë punëtore, por vetëm aty ku ka automatizim. I njëjti trend është në Rumani, Maqedoni sepse edhe kompanitë maqedonase kanë mbetur pa punëtorë. Në këtë situatë është dashur të jemi të përqendruar këtu”, ka thënë Rukiqi.