Selami i kundërpërgjigjet Dautit: Përmes sulmit tentoni t’i fshihni dështimet

Reagim ndaj akuzave të deputetes Ilire Dauti, drejtuar Drejtorisë për të ardhurat publike, në emisionin Click Plus.

E nderuara zonja deputete, më vjen keq që dështimet tuaja si opozitë në Kuvend dhe me bllokimet e juaja ndaj mbi 60 mijë kryefamiljarëve në vend, duani t’i fshihni me sulme ndaj Institucioneve që me seriozitet, përpikshmëri dhe sukses po menaxhojnë këtë situatë të krizës shëndetësore-ekonomike të shkaktuar nga pandemia me virusin Covid 19.

Por, edhe më keq kur dëshmoni si një profesioniste dhe profesoreshë , se i mësoni studentët(nxënësit) tuaj se arka e buxhetit të shtetit mbushet nga dënimet dhe jo nga pagesa e tatimeve.
Sa i përket akuzave të juaja në lidhje me kontrollet e shtuara në viset shqiptare, me përgjegjësi morale ju kundërshtoj se kjo aspak nuk është e vërtetë. Si zv.drejtor i këtij institucioni gjithmonë kam qenë ithtar ndaj trajtimit të barabartë dhe asnjëherë për kontrolle selektive, e sidomos pa bërë ndarje në aspektin rajonal.

Ne gjithmonë kemi qenë konstruktiv dhe pranë të gjithë afaristët në vend dhe sidomos në këto kohë të vështira ku kemi shtuar komunikimin tonë për të dëgjuar dhe për tu koordinuar me ata që presin ndihmën dhe përkrahjen tonë. Për këtë dëshmon edhe takimi ynë i fundit para disa ditëve, si edhe shumë takime tjera paraprake me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, me të cilët biseduam gjërë e gjatë për problemet me të cilat përballen kompanitë e vendit dhe me vëmendje i dëgjuam sugjerimet dhe rekomandimet e tyre.

Pa marrë parasysh deklaratave të juaja populiste dhe tentimet e juaja për ta njëllosur institucionin më organizativ në vend, ne do të vazhdojmë te realizojmë vizionin tonë të qartë, për të qenë model i një institucioni të organizuar profesional i njohur sipas praktikave më të mira dhe standardet për kualitet.

Gjithashtu, e nderuara profesoreshë ju përkujtojmë se koha e broshurave në letër ka ikur moti dhe akuzat e juaja që s’kemi broshura në gjuhën shqipe, ju duhet ta dini se shekulli 21 është shekulli i digjitalizimit dhe DAP është përgjigjur pozitivisht kësaj sfide e cila është në realizim e sipër për çdo shërbim duke përfshirë këtu dhe kontrollet edhe në luftën kundër ekonomisë gri, për të cilën ju si profesioniste e kësaj fushe duhet të na përkrahni dhe jo të na akuzoni.