Senati i Spanjës më 17 mars do ta ratifikojë Protokollin për në NATO

Senati i Spanjës më 17 mars do të mbajë seancë plenare në të cilën do ta ratifikojë Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, publikoi sonte në facebook ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

“Edhe krahas krizës rreth koronavirusit dhe pezullimit të të gjitha aktiviteteve tjera, Senati i Spanjës pak më herët vendosi që më 17 mars ta mbajë seancën plenare me pikën e vetme në rend dite: Ratifikimin e Protokollit inkuadrues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO! ¡Muchas gracias España!,” ka shkruar Dimitrov.

Protokolli, më 27 shkurt mori dritë të gjelbër nga Dhoma e ulët e Parlamentit spanjoll.

Spanja është vendi i fundit nga anëtaret e NATO-s, e cila ende nuk e ka ratifikuar Protokollin. Procesi atje është shtyrë për shkak zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë. Protokolli te ne, megjithatë u ratifikua me shtyrjen e veprimit, për shkak shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.