ShBA: BE dështoi me negociatat

Përfaqësuesi i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer e konsideron një dështim moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, zyrtari i lartë ka deklaruar se pret që Këshilli Europian të gjejë një rrugë për te korrigjuar gabimin.

“Mendoj se është një mesazh thellësisht negativ për të gjithë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por gjithashtu krijon një atmosferë negative edhe për procesin e dialogut. Dështimi i Këshillit Europian për të arritur një kompromis është thellësisht për të ardhur keq. Por, palët duhet të shkojnë përtej kësaj. Është në interesin e tyre më të mirë për ta bërë këtë, dhe besoj se Këshilli Europian do të gjejë një mënyrë për të ecur përpara, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, dhe se ata përsëri do të përqendrohen në perspektivën europiane të të gjithë rajonit.”

Ndërsa gjatë vizitës në Shkup, Matthew Palmer bëri të ditur se Washingtoni ia ka shprehur zhgënjimin Francës dhe i ka kërkuar që të gjejë një konsensus për çështjen e zgjerimit.

“Sigurisht ua kemi bërë të qartë partnerëve tanë francezë, në nivel shumë të lartë, se jemi thellësisht të zhgënjyer me pozitën që Parisi mori në Këshillin Evropian. Nuk ishte një “jo”, nuk u vendosën kushte të reja. Reflekton realitetin e pamundësisë së Këshillit për të arritur një konsensus, por kjo nuk nënkupton që ata nuk do të vazhdojnë të punojnë për arritjen e një marrëveshje për këtë gjë, në një të ardhme të afërt dhe SHBA-të do të lobojnë për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë në këtë kontekst.”

Edhe presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka konfirmuar se nuk është thënë ende fjala e fundit për Tiranën dhe Shkupin dhe se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për BE në arritjen e një konsensusi përpara samitit të Zagrebit, i cili do të mbahet në maj të vitit 2020.