Shkodran Tolaj: Ansambli disa ditë nuk do të jetë aktiv përshkak të procesit të dezinfektimit të objektit të ARM-së

NJOFTIM

Të nderuar vallëtarë, solistë vokal, instrumentistë, korepetitorë!
I nderuar opinion publik që ndiqni veprimtarinë e IN “Ansambli i këngëve e valleve shqipe në R.M.V”
Jemi në një gjendje kur shteti ka marrë masa për mbrojtje nga virusi “Korona” dhe ne si institucion kemi përcjellur të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga Qeveria e R.M.V dhe Ministria e Shëndetësisë derimë tani. Duke mos dashur të ndjellim panikë të panevojshme, kemi ndjekur të gjitha rekomandimet dhe konform tyre kemi punuar deri sot duke marrë të gjitha masat e parapara për kujdes dhe mbajtje higjiene gjatë orëve të punës.
Tani kemi një moment të ri dhe iu informoj se objekti i ARM-së, ku zhvillojmë procesin e punës artistike do të dezinfektohet. Sipas rekomandimeve nga organet përgjegjëse, duhet pritur pesë ditë pas dezinfektimit për të vazhduar procesin e punës në të njejtin objekt, andaj i njoftoj të gjithë të punësuarit në ansambël se nga data 13 deri me 18 mars 2020 nuk do të punohet. Paraqitja në punë do të bëhet të mërkurën sipas orarit të zakonshëm. Në ndërkohë administrata dhe unë si drejtues do të punojmë në mënyrë krejt normale si në çdo institucion tjetër. Gjatë ditëve në vijim jemi në përcjellje të gjendjes se si po zhvillohet dhe do të veprojmë në përputhje me rekomandimet që do të jepen nga qeveria. Sido që të jetë, iu informoj se ditët e humbura (ashtu si edhe në institucionet arsimore dhe çdo institucion ku është ndërprerë procesi i punës) do të kompenzohen varësisht nga nevojat e programit dhe zhvillimit të institucionit.
Jemi në përgatitje të një koncerti shumë të rëndësishëm që do të shfaqet në Shkup dhe për të na duhet punë, seriozitet dhe përkushtim. Urojmë që kjo gjendje të kalojë sa më parë, pa eskaluar situata dhe pa patur raste të tjera të prekurish në vendin tonë. Të gjithë së bashku, me një vetëdije të lartë qytetare, pa përhaur panikë por duke qenë të përgjegjshëm dhe vëmendshëm, do të arrijmë që kjo gjendje të menaxhohet dhe të kalohet më lehtë!
Me konsideratë:
Drejtori- Shkodran Tolaj