Shkodran Tolaj: Në vend të lamtumirës
Për ikonën Ismet Peja që nuk u plak kurrë

Të të them lamtumirë e kam vështirë dhe sdo e them asnjëherë sepse në memorien time mbetesh ikona që tërë jetën këndoi duke sjellur origjinalitetin e muzikës gjakovare më mirë se kushdo tjetër dhe energjinë e jashtëzakonshme në skenë! Sot gjatë tërë ditës kujtoja takimet e rastësishme në Radiotelevizionin e Kosovës kur të pyesja se si po arrin me u mbajt në formë fizikisht e vokalisht dhe me atë buzëqeshjen engjëllore të një shpirti të pastër thoje “ robi s’plaket kur vjen mosha- robi plaket kur don vet e ju djemtë e mi merrni mësim se në jetë njeriu bën atë që ia thotë zemra jo trendi apo mosha”
Sot më është dashur tërë ditën të bindem se zemra jote paska pushuar së rrahuri dhe të gjej motiv për të shkruar dy tre fjalë përkujtimi, nderimi e respekti që çdoherë do jenë pamjaftueshëm për atë që arrite ti falish kulturës dhe kombit! Ti solle model ndryshe në muzikën tonë popullore dhe jetove 83 vite me skenën dhe energjinë e njeriut që s’plaket kurrë! Këngët dhe zëri yt nuk shuhen dhe do jetojnë bashkë me kombin tënd që e deshe aq shumë!
Shfrytëzoj rastin që në emër të gjithë trupës së Ansamblit kombëtar të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV,të shprehë ngushëllimet më të sinqerta për djemtë Visarin e Vegimin, familjen Peja dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe adhuruesit e këngës së legjendës, tashmë në amshim- Ismet Peja!

Nderime e përkulje – Drejtori i ansamblit Shkodran Tolaj