Shtrembërim i të vërtetës

(Reagim në lidhje me një shkrim të Shaqir Islamit, botuar në gazetën “Koha”, Shkup)

Nga Muzemil OSMANI

Nuk do të thotë që je laik në ndonjë gjë dhe tërë jetën të ngelësh i tillë, i padijshëm, por duhet të mundohesh të mësosh diçka, apo të informohesh saktë, para se të marrësh të shkruash diçka, sidomos kur bëhet fjalë për një kategori kuranore siç është ajo e ulul-emrit (udhëheqësit të besimtarëve), sepse mund të dalësh dy herë laik.

I tillë është shkrimi i Shaqir Islamit me titull Haram, ku dëshiron të tregohet shqiptaromadh dhe mbrojtës i vetëm i shqipes në këtë vend, duke harruar se vetë kolumnën e fillon me një fjalë në gjuhën arabe. Qenka marre, sipas jush, të shkruhet për Presidentin Erdoğan (Erdoan), të cilin Reisi në shkrimin e tij e vlerëson si një lider mysliman, por, ja, ka qëlluar të jetë turk, prandaj gjërat nuk duhen shikuar gjithmonë me syrin e laicitetit.

Keni thënë në shkrimin tuaj: ”unë që lexoj bile, kaq vite nuk kam lexuar nga Ju, ndonjë rresht të vetëm për brengosjet, për hallet, telashet, vuajtjet e shqiptarëve fukara dhe mjeranë në vendin tonë”. Vërtet këtu tregoheni shumë i painformuar. Më vjen keq se s’paskëshit lexuar asgjë, por, për hir të informimit tuaj të drejtë, do t’ju jap disa informata, që herën tjetër të jeni më i informuar, se nuk duam njerëzit tanë me emër mysliman të paraqiten naivë:

Po i numëroj disa:

Me ardhjen në krye të BFI-së të Sulejman ef. Rexhepit në vitin 1991, u zyrtarizuar gjuha shqipe në të gjitha institucionet dhe organet e BFI; ju jeni të vonshëm në këtë drejtim.
Flamuri kombëtar shqiptar me ardhjen e Sulejman ef. Rexhepit valëvitet në të gjitha institucionet dhe organet e BFI-së – edhe atje ku shqiptarët nuk janë 20%, si p.sh.: në Manastir, Prilep, Shtip e Veles. E di që edhe për këtë nuk keni ditur gjë.
Meqë të tangon çështja shqiptare dhe thirresh që lexon shumë, më vjen keq t’i thuash vetes që lexon e mos ta kesh lexuar librin Shqiptarët e Maqedonisë. Ky libër është produkt i Konferencës së Parë Shkencore Mbarëshqiptare pas pavarësimit të Maqedonisë (sot: RMV), e cila është mbajtur në lokalet e Medresesë Isa Beu në Kondovë në vitin 1993. E dini kush ishte iniciues i kësaj Konference? – Sulejman ef. Rexhepi; edhe këtu jeni shumë i vonshëm…
Vazhdojmë prapë më çështjen kombëtare. I “nderuar”, sa për informimin tuaj, ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës u mbajtën në mejtepet e xhamive, Rektorat i Universitetit ishte objekti i Bashkësisë Fetare Islame. A e dini kush ka qenë në krye të BFI-së në këtë periudhë? – Sulejman ef. Rexhepi, i cili ishte edhe njëri ndër nënshkruesit për themelimin e UT-së; e di që edhe këtë s’e keni ditur…

Flisni se asnjëherë nuk është marrë Sulejman Rexhepi me hallet, telashet, dertet e popullit shqiptar. I “nderuar”, Reisi asnjëherë nuk bën propaganda në emër të fatkeqësive dhe telasheve të popullit tonë, por, ja erdhi radha dhe unë po i përmend disa punë të Reisit për këto çështje:

Me ardhjen në krye të BFI-së, mbi 700 studentë deri më sot kanë marrë bursa studentore nga BFI;
Prej vitit 2015 e deri më sot mbi 300 të sëmurë janë kuruar jashtë vendit me iniciativë të Sulejman ef. Rexhepit; edhe këtë s’e keni ditur…
Mos t’i harrojmë ndihmat humanitare, permanente, për familjet me gjendje të rëndë ekonomike…
Reisi asnjëherë nuk është i mendimit që me hallet e kësaj shtrese të bëhen propaganda mediatike…

Prandaj, i “nderuar”, që shumë keni lexuar, më duket se s’paskeni lexuar sa duhet. Ju ndoshta nuk i lexoni as reagimet, as kolumnat e as opinionet e Reisit, as veprat e tij (janë shumë!), të cilat flasin edhe sot dhe do të flasin në çdo mot. Po ua përmend shkarazi vetëm kompletin e veprave të tijë “Per fe e Atdhe” që u promovua para do kohe e që u vlerësua nga personalitete të shquara si një kontribut i çmuar shumvjeçar në drejtim të sensibilizimit të çështjes mbarëshqiptare.

Të gjithë njohësit e çështjeve fetare thonë se Maqedonia e Veriut është vendi ku është ruajtur më mirë Islami burimor autokton, prandaj ju nga laiciteti juaj mund të fajësoni edhe veten tuaj se nuk e njihni mirë. E keni tollovitur shkrimin, duke u futur në një lumë prej të cilit me të vërtetë s’dini as vetë si të dilni. Karakamishevës, ndërkaq, moti i është treguar rruga në lidhje me Ezanin, kështu që ju, në këtë drejtim, jeni shumë i vonshëm…

Në fund të këtij reagimi, po ju pyes. Si mendoni, pse është dekoruar Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi me dekorimet e shumta të cilat nuk i bëjnë nder vetëm atij personalisht po të gjithë neve. Po ju përkujtoj se Reisi është i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, nga ai i SHBA Donalld Tramp, Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK, është shpallur Ambasador për Paqe Globale…