Sindikatat e punonjësve në sektorin publik dhe administratë janë kundër uljes së pagave

Konfederata e Sindikatave të Lira që i përfaqëson të drejtat e punonjësve në sektorin publik, sot propozoi pako masash dhe plan për dalje nga kriza. Sindikalistët vlerësojnë që situata është shumë e rëndë, dhe qëllimi final i masave është shpëtimi i vendeve të punës. Nga Sindikata janë të revoltuar nga pasiviteti i Këshillit ekonomiko- social.

Bankat urgjentisht të prononcohen për kohëzgjatjen e anulimit të pagesës së kësteve të kredive dhe të dërgojnë mesazhe apo në mënyrë elektronike t’i informojnë qytetarët. Qeveria të prononcohet më saktë dhe të miratojë Dekret për anulimin e vendimeve ekzekutive -thonë nga Konfederata e Sindikatave të Lira, transmeton Alsat.

Reagim të ri për pagën minimale në administratë sot ka dërguar edhe sindikata SPOGJ, ku janë anëtarë administratorë, organet gjyqësore dhe shoqata të qytetarëve. Nga kjo Sindikatë konsiderojnë se masat e propozuara janë të nxituara, populiste dhe të paqëndrueshme, veçanërisht pas vlerësimit se kursimi i përgjithshëm nga pagat minimale të administratës dhe sektorit publik është 30 milion euro.

Barazimi i pagave të funksionarëve, të ardhurat mujore të të cilëve tejkalojnë 60,000.00 denarë, me pagat e punonjësve që marrin 17,000.00 denarë, jo vetëm që nuk është solidare, por është edhe e pakrahasueshme. Më shumë se gjysma e ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe anëtarëve të bordeve drejtuese kanë bizneset e tyre -shprehen nga SPOGJ.

Të dy sindikatat janë unanime që qeveria të mos e pranojë propozimin e liderit Zoran Zaev që të gjithë punonjësit nën ombrellën e shtetit të marrin pagë minimale për dy muaj. Edhe BDI-ja dhe opozitarja VMRO-DPMNE mbajnë qëndrimin që të mos ketë reduktim të pagave të administratorëve.