“S’ka pse bën si virgjëreshë” Tensionohet përplasja Kryemadhi- Gjonaj

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj janë përplasur sërish këtë të premte, teksa një ditë më parë drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim paralajmëroi ministren që të mos u dërgonte mesazhe kërcënuese gjyqtarëve e prokurorëve.

Akuzat e Kryemadhit erdhën si pasojë e një përplasje të saj me Ministren Gjionaj, fill pas një hetimi të hapur tashmë në lidhje me një aferë të mundshme korruptive në kohën kur Ministrinë e Drejtësisë e drejtonte LSI. Këtë të premte, Kryemadhi ka sulmuar Gjonajn duke thënë se ajo nuk duhet të marrë pozicionin e virgjereshës pasi ajo ka shantazhuar prokurorët e çështje që të goditen ish zyrtarët e LSI-së. Etilda Gjonaj ka reaguar më tutje, duke thënë se nuk trembet nga shantazhet e kryetares së LSI-së

Kryemadhi: Ne nuk e shantazhojmë zonjën Etilda Gjonaj por ajo nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës kur i dimë shumë mirë të gjithë pozicionet e saj dhe të gjithë kapjen e saj. Nëse një qytetar shqiptar mund të harxhojë vite të tëra për të fituar gjyqin për tu kthyer në vendin e punës, bashkëshorti i Etilda Gjonajt u kthye me një vendim që u bë brenda një jave.Standardet nuk janë të dyfishta.Kemi votuar një reformë në drejtësi dhe duhet të kemi një standard”.

Etilda Gjonaj: Jam sulmuar familjarisht pas arrestimit të një grupi personash që dyshohet se janë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore me tenderat në MD. Kjo ka bërë që zonja Kryemadhi të lëshohet me shatanzhime kundër meje dhe familjes sime, por unë nuk jam këtu për t’i kthyer përgjigje Kryemadhit për sulmin e ulët, por të them se mua nuk më ndalin dot të bëj me përkushtim profesionalizëm dhe integritet vetëm detyrën time.

Unë mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë këdo që ka hedhur firmën në ato tenderë. Sulmi vulgar ndaj meje nuk ishte rrufe në qiell të pastër dhe as nevojë e luftës politike me doza papërgjegjshmëri mbi ato që thuhen, unë u sulmova me qëllimin e vetë për të sulmuar drejtësinë. Në përgjigje të këtij sulmi që nuk do ndalen, i bëj thirrje drejtësisë të mos ndalet për të vënë para përgjegjësisë këto që ka abuzuar dhe prokurorisë të mos intimidohet nga kërcënimet dhe sulmet e kujtdo.