Skender Asani fjalim për heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Të nderuara familje Zhitia dhe Fazliu…

Jam shumë i lumtur që sot gjendem në mesin tuaj, në këtë përvjetor të rënies heroike të filizave të lirisë së Kosovës – dëshmorëve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Shqiptarët kanë kaluar nëpër shumë periudha të errëta të historisë, duke u përballur me regjime antidemokratike, secili më i zi se tjetri. Por fatmirësisht, nëpër të gjitha periudhat, kombi ynë lindi trima që për asnjë çast nuk iu përkulën asnjë pushtuesi, dhe guximshëm trasuan rrugën e lirisë.

Në kohën e kulmit të mitit serb për Kosovën, në fundin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe rinia më e guximshme shqiptare, e të gjitha viseve nën Jugosllavi, bëri përpjekjet e para serioze për shporrjen e pushtuesit shekullor. Ata ndezën shkëndijat e para të rezistencës së armatosur. Duke e flijuar veten e tyre, ata projektuan një të ardhme më të mirë për brezat që do vinin. Kështu, me veprën e tyre heroike, ata treguan më së miri se si duhet Atdheu dhe si duhet liria.

Afrimi e Fahriu, ishin dhe mbeten flakadanët e parë të luftërave të fundit çlirimtare të shqiptarëve në Ballkan, dhe si të tillë gjithmonë do të kujtohen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Të nderuara familje Zhitia dhe Fazliu…

E dimë që për ju ka qenë dhimbje e madhe humbja fizike e djemve tuaj, 30 vjet më parë, por gjithmonë duhet të jeni krenarë, se pikërisht në gjirin tuaj, u lindën e u rritën këta viganë sypatrembur, u lindën e u rritën lajmëtarët e lirisë së Atdheut.

Afrimi dhe Fahriu janë pjesë e çdo qelize të lirisë së Kosovës.

Afrimi e Fahriu janë vetë liria!

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre heroike.

Ju faleminderit shumë!

Dr.Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-Shkup,

Prishtinë, 02.11.2019