Sopoti, të enjten afati fundit për dëmshpërblim

Në rast se të enjten Qeveria nuk miraton marrëveshjen për dëmshpërblimin e ish të dënuarve në rastin Sopoti, kjo çështje do të prolongohet për 3 muaj. Kjo për shkak të zgjedhjeve presidenciale të cilat pritet të shpallen më 8 shkurt, njofton Alsat.

Në mbledhjen e fundit Qeveria nuk arriti të miratojë marrëveshjen për dëmshpërblim për arsye të mungesës së raportit nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve për çdo banorë lidhur me ditët e vuajtura në burg dhe paraburgim.

Jo zyrtarisht, në mbledhje të Qeverisë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ajo e Drejtësisë, Renata Deskoska kanë qenë kundër marrëveshjes pa raportin e Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve e cila po zvarrit përgjigjen nga muaji dhjetor. Deskoska nuk ka pranuar të miratohet marrëveshja edhe pse arsye për mos plotësimin e kushteve është drejtoria e cila bie nën kompetencat e dikasterit të saj.

Kjo është hera e dytë që Deskoska pengon dëmshpërblimin e Sopotasve pasi që paraprakisht edhe pse e obliguar me ligj që në afat prei 15 ditëve t’i përgjigjet kërkesës fillestare për marrëveshje, përgjigjen e kishte vonuar më shumë se 3 muaj.