Sot në zyrën e drejtorit të Ansamblit u vendos portreti i veprimtarit të shquar Alush Hamidi

Sot drejtori z.Shkodran Tolaj vendosi në zyrën e tij portretin e Alush Hamidit dhe priti në takimin e parë për këtë vit djalin e këtij veprimtari të shquar dhe idealisti të madh. Alush Hamidi padiskutim është emër që ka lënë gjurmë në kulturën dhe shoqërinë shqiptare! Vlerësimet për Alush Hamidin i kanë dhënë veprimtarë, artistë e intelektualë duke vlerësuar idealizimin e tij dhe kontributin e madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare përmes artit. Trashëgimtari i Alush Hamidit – Lulzim Hamidi në këtë takim u shpreh “Jam i befasuar dhe me emocione që po përjetoj sot këtë moment të vendosjes së fotografisë së babit tim në zyrën e drejtorit të Ansamblit Shtetëror. Jam thellësisht falemnderues per këtë. Ju jeni Institucioni i parë që e kujtoni dhe respektoni babain tim, fillimisht me medaljen e artë që na u nda me 19 dhjetor 2021 dhe tani me vendosjen e portretit të tij në këtë tempull të shenjtë e të lartë të kulturës shqiptare dhe me këtë pritje që po më bëni mua personalisht”
Drejtori Tolaj me këtë rast u shpreh “kjo zyrë dhe ansambli janë shtëpia për të cilën ëndërronte e punonte prindi juaj andaj ky ambient është dhe shtëpia e Alush Hamidit. Jam shumë krenar për vlerat që kemi të cilët meritojnë të vendosen në vendin e merituar e të na shtojnë krenarinë”. Bashkë biseduan edhe për planet e Ansamblit në te ardhmen dhe mënyrën e organizimit të një evenimenti që do ti dedikohet figurës së Alush Hamidit i cili një jetë ia dedikoi artit e kulturës duke ngritur dhe mbajtur gjallë shpirtin e këtij populli!