Sot, së bashku me krerët fetarë të vendit, morëm pjesë në takim të thirrur nga Presidenti i Shtetit, D-r. Stevo Pendarovski.

Në përshkrim sjell për ju lajmin e plotë:
REIS ULEMAJA, SË BASHKU ME LIDERËT TJERË FETARË, NË TAKIM TE PRESIDENTI

Sot, 08.04.2021, Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema i BFI të RMV H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, së bashku me Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Maqedonase, z. z. Stefan, dhe biskupin e Kishës Katolike, z. Kiro Stojanov, morën pjesë në takimin e thirrur nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, D-r. Stevo Pendarovski. Në takim prezent ishte edhe Drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, z. Darijan Sotiroski.

Në takimin që u mbajt në rezidencën e Presidentit në villën Vodno u diskutua për situatën kritike të shkaktuar nga rritja e numrit të të infektuarve me korona virus. U bisedua edhe për festat e ardhshme të Ramazanit dhe Pashkëve dhe nevojën e vazhdimit të përmbajtjes ndaj rekomandive dhe rregullave të vendosura nga Komisioni për Sëmundje Infektive, me qëllim mbrojtjen nga infektimi.

Reis Ulemaja në takim potencoi se është i kënaqur që deri më tani në xhami janë zbatuar dhe vazhdojnë të zbatohen rekomandimet dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme me pandeminë, tregues ky mjaft i rëndësishëm se BFI dhe të gjithë besimtarët muslimanë e kanë marrë gjendjen seriozisht dhe do të vazhdojnë me këtë intensitet edhe gjatë muajit të Ramazanit. Vlen të theksohet se xhamitë janë dhe do mbeten të hapura për besimtarët muslimanë në kohët në të cilat është e lejuar lëvizja e lirë.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për procesin e vaksinimit dhe nevojën e vaksinimit të nëpunësve fetarë të cilët janë në kontakte të vazhdueshme me besimtarët.