Spasovski: Unë nuk e shkel ligjin! “Aktivitetet partiake i zhvilloj pas orës 16:30

Nuk ka shkelje të ligjeve, e as përzierje të aktiviteteve shtetërore me aktivitetet partiake, pohon kryeministri Oliver Spasovski, duke i përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me atë nëse vizitat e përditshme në ndërtimore, projekte, nuk janë në emër të fushatës aktuale zgjedhore. Përveç Spasovskit, këto ditë edhe ministra dhe funksionarë të tjerë ishin angazhuar në mënyrë më intensive. Gjatë vizitës së sotme në ndërtimin e një çerdheje në Vollkovë, ai tha se do të vazhdojë të bëjë kontroll në punimet për projektet që realizohen me para të buxhetit dhe se nuk ka asgjë të përbashkët me aktivitet partiake.

“Ne si Qeveri do t’i promovojmë dhe prezantojmë të gjitha projektet që i bëjmë. Pas orës 16:30 do të më shihni në terren ku do të udhëhiqet beteja politike, por kjo është diçka tjetër. Deri orën 16:30 çdo ditë në çdo vend, ashtu siç kam bërë këta 8 muaj në Qeveri, ashtu siç kam bërë 3 vitet e kaluara në MPB-në, çdo herë kur kjo është në interes të qytetarëve, të ndërtojmë, të krijojmë, të bëjmë projekte që janë në interes të qytetarëve”, tha Oliver Spasovski, Kryeministër.

Këto ditë Komisioni antikorrupsion u porositi ministrave dhe bartësve të funksioneve të larta, që aktivitetet shtetërore t’i mos i përdorin për qëllime zgjedhore dhe ta respektojnë ligjin.

“Nuk mund të mbahen ngjarje publike me rast të fillimit të ndërtimit ose lëshimit në përdorim të objekteve me mjete nga Buxheti ose fonde publike, ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose personave të tjera juridike që kanë në dispozitë kapital shtetëror, në infrastrukturën, si rrugë, ujësjellës, shtylla elektrike, kanalizim, terrene sporti dhe objekte të tjera ose objekte për veprime shoqërore siç janë shkollat, çerdhet dhe objekte të tjera”, u tha nga Komision Antikorrupsion.

Spasovski në rolin e kryeministrit këtë paradite ishte në Vollkovën e Shkupit për ta kontrolluar ndërtimin e çerdhes, ndërsa pasdite si kandidat për deputet dhe bartës i listës së kandidatëve të LSDM-së në NJZ 2, në takime në komunën Gjorçe Petrov.