Spasovski: Vota shqiptare, një vlerë e shtuar, “LSDM-ja dhe koalicioni do të formojnë Qeverinë e re”

Njeriu i parë për sigurinë e shtetit, Oliver Spasovski tha se Qeveria ka sjellë vendim të mirë për ta dëgjuar zërin e popullit në lidhje me atë në cilën rrugë duhet të vazhdojë shteti.

“Ne e sollëm vendimin dhe konsideruam se tani është momenti kur qytetarët duhet ta sjellin vendimin e tyre. Ne bëmë gjithçka, punuam shumë, me shumë energji dhe përpjekje me qëllim që të arrijmë në rrugën e Evropës dhe me të drejtë mund ta shprehim zhgënjimin tonë se Maqedonia nuk mori datë për negociata”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Spasovski në Click Plus tha se edhe pse vendi nuk është në krizë politike, ata i kanë pranuar kërkesat e partive të tjera politike që të formohet qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve.

“Shteti dhe pushteti treguan se mund të organizojnë zgjedhje të pastra lokale dhe presidenciale pa asnjë presion. Megjithatë, ne e sollëm këtë vendim për shkak të dialogut në parlament dhe subjekteve politike, që të formohet qeveri teknike”, u shpreh Oliver Spasovski.

Për votat e shqiptarëve që i mori LSDM-ja në vitin 2016, Spasovski tha se janë vlerat e reja në shoqërinë maqedonase.

“Ne bëjmë analiza serioze se si të shkojë vendi në zgjedhje. E dini se LSDM-ja morri votat e shqiptarëve edhe në zgjedhjet e vitit 2016 të cilat janë vlerat e reja të shoqërisë maqedonase”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ministri i Brendshëm është i bindur se koalicioni aktual do ta formojë qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill.

“Unë mendoj se në të gjitha zgjedhjet vendoset se cila partia do të jetë në pushtet, e cila në opozitë. Andaj thamë se duhet të shkojmë në zgjedhje dhe populli të vendosë se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet. Ne presim se ky koalicion që e udhëheq qeveria do ta formojë qeverinë e re pas 12 prillit”, theksoi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Në emisionin Click plus ndër të tjera, temë bisede ishte afera Reket për të cilën Spasovski tha se nuk mund të kuptojë se si mundet një prokuror të mos e respektojë besimin që ia ka dhënë populli.