Studentët tanë – vlerat tona

Me mijëra studentë të trembëdhjetë fakulteteve të Universitetit të Tetovës, në këtë periudhë (izolimi) i ndjekin studimet e tyre në rrethana dhe kushte të diktuara nga pandemia botërore e Covid-19.
Është për t’u përshëndetur angazhimi, pasioni dhe dëshira e tyre për të studiuar përmes alternativave, metodave dhe platformave online që aktualisht aplikohen kudo në botë.
Mirëpo, ajo që duhet nënvijëzuar, sigurisht se është edhe kontributi i studentëve dhe profesorëve tanë që japin në luftën e pa kompromis kundër virusit korona.
Profesorë dhe studentë të UT-së, ndër vite e kanë sensibilizuar opinionin publik në vendin tonë dhe më gjerë, për rëndësinë dhe kujdesin që duhet t’i kushtohet mbrojtjes së shëndetit. Mjafton këtu t’i kujtojmë dhjetëra e qindra aktivitete të realizuara nga Grupi shkencor i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.
Këto ditë të vështira për të gjithë ne, janë pikërisht studentët e Universitetit të Tetovës, (Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe jo vetëm), të cilët me shumë profesionalizëm, devotshmëri dhe humanizëm, për të gjithë qytetarët pa dallim, ofrojnë ndihmesën e tyre, si në ndërgjegjësimin qytetar, për respektimin e rekomandimeve të OBSH-së dhe të autoriteteve të vendit, po ashtu edhe kontribute utilitare me karakter social.
Nuk mund t’i lëmë pa mos i përmendur edhe profesorët tanë, në mënyrë të veçantë profesorët – mjekë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, të cilët 24/7 i keni parë afër pacientëve të prekur nga Covid -19, por edhe në ekranet televizive, për të dhënë sqarimet dhe këshillat aq të nevojshme kundër përhapjes së këtij virusi.
Çdo shtetas e shtetase, banor i zonave më të thella e deri te qytetari i kryeqendrës së vendit tonë, sot ka një sfidë: mbrojtjen e tij/saj nga infektimi. Çdo njëri prej nesh mbase e kemi pjesën tonë të fajit që në kohëra të tjera nuk i kemi vlerësuar e respektuar sa meritojnë mantel-bardhët, por faji ynë do të ishte absolut nëse sot nuk e dëgjojmë MESAZHIN e tyre për të qëndruar në shtëpi – për të shpëtuar jetë.
Bota ka njohur edhe epidemi, endemi e pandemi të tjera, mirëpo duhet thënë se si asnjëherë më parë janë mobilizuar shtete të varfra e të pasura, politikanë e votues, artistë e veprimtarë, zejtarë e tregtarë, sportistë e biznesmenë – në KAUZËN më sublime për të shpëtuar nga murtaja e 2020.
Sot, secili prej nesh mund ta “bëjë” mjekun, nëse vërtetë i përmbahet gjithçkaje që mjekët thonë, sot secili prej nesh “shëron” pacientë vetëm duke mos infektuar të tjetër.
Miliona e miliarda njerëz në mbarë botën, sot e përsërisin vetëm një refren #qëndro në shtëpi – shpëto jetë”, për ta përsëritur, thënë e stërthënë nesër të gjithë: “bashkë ia dolëm.”